Ndërlidhjet

Ukraina përkujton viktimat e tragjedisë së Holodomorit


Skulptura e një vajze, që është pjesë e memorialit të viktimave të Holodomorit.
Skulptura e një vajze, që është pjesë e memorialit të viktimave të Holodomorit.

Ukrainasit po shënojnë 86-vjetorin e urisë në epokën staliniste, të njohur si Holodomor, ku miliona njerëz vdiqën nga uria, vdekje për të cilat fajtor konsiderohen politikat sovjetike në fillim të viteve ‘30.

Ukraina ka shpallur të shtunën e katërt të nëntorit si Ditën e Përkujtimit të Viktimave të Holodomorit dhe për çdo vit përkujton personat që vdiqën në këtë tragjedi, që shumica e ukrainasve konsiderojnë se ishte një akt gjenocidi, që kishte për qëllim të zhdukte fermerët ukrainas.

Organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve që në dritaret e tyre të vendosin qirinj në orën 16:00 për të përkujtuar viktimat e Holodomorit.

Miliona vdiqën pasi autoritetet sovjetike detyruan fshatarët në Ukrainë që t’iu bashkoheshin fermave kolektive, duke iu kërkuar atyre grurin dhe produktet e tjera ushqimore.

Shifrat e personave që vdiqën në këtë periudhë variojnë nga 3 deri në 7 milionë njerëz.

Kisha Ortodokse ukrainase përmes një deklarate tha se sot “ne mund të flasim për të vërtetën (rreth tragjedisë) dhe këtë duhet ta bëjmë me zë të lartë sepse e keqja nuk duhet fshehur, siç u bë për dekada, nga regjimi sovjetik”.

Diplomatët e Shteteve të Bashkuara dhe të Australisë në Kiev, shprehën solidaritetin e tyre me qytetarët ukrainas dhe u zotuan se kurrë nuk do të harrojnë këtë tragjedi dhe viktimat e kësaj ngjarjeje.

“Ne bashkohemi me njerëzit e Ukrainës duke kujtuar personat që humbën jetën gjatë tragjedisë së vitit 1932-33 të Holodomorit”, thuhet në një postim në Twitter të ambasadës amerikane të Kiev. Në këtë postim po ashtu është bashkëngjitur një video-mesazh i ambasadorit amerikan në Kiev, William Taylor, i cili e ka përshkruar tragjedinë si artificiale dhe që ka ardhur si pasojë e veprimeve të autoriteteve sovjetike.

Parlamenti ukrainas më 2006 e ka shpallur Holodomorin si “gjenocid” ndaj popullit ukrainas.

Rusia e hedh poshtë këtë gjë, duke mohuar se autoritetet sovjetike në mënyrë sistematike kanë pasur për cak ukrainasit.

Autoritetet ruse theksojnë se të korrurat e pakta në atë kohë prekën shumë pjesë të Bashkimit Sovjetik dhe shumë rusë, kazakë dhe të tjerë vdiqën në këtë periudhë,

Të paktën 15 shtete e njohin si gjencodi Holodomorin, por jo edhe Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG