Ndërlidhjet

NATO ekspozon bazën raketore në Rumani


Ilustrim

Sistemi i NATO-s për mbrojtje raketore, i vendosur në jug të Rumanisë, ka qenë shkak i grindjeve midis aleancës dhe Rusisë prejse i ka nisur operacionet në fillim të vitit 2016.

Rusia pretendon se sistemi, së bashku me një bazë të ngjashme të NATO-s në Poloni, kanë për qëllim të minojnë mbrojtjen bërthamore të Moskës.

Në prag të samitit të NATO-s, që do të mbahet më 3 dhe 4 dhjetor në Londër, aleanca e ka hapur atë për një turne nga gazetarët dhe ambasadorët në Rumani të 20 shteteve anëtare të NATO-s.

Vizita e javës së kaluar ka qenë e para e një grupi civilësh në bazën që ndodhet në qytetin Deveselu - rreth 180 kilometra në perëndim të Bukureshtit.

Ministri rumun i Mbrojtjes, Nicolae Ciuc, ka thënë se turneu ka qenë një iniciativë transparente, për të treguar që objekti prej 1 miliard dollarësh ka "natyrë thjesht mbrojtëse".

Komandanti i Marinës amerikane, i ngarkuar për objektin, i ka hedhur poshtë pretendimet e Kremlinit, duke thënë se ai është i dizajnuar vetëm për të mbrojtur Evropën nga sulmet e mundshme të raketave balistike, të nisura nga Lindja e Mesme.

“Gjëja e vetme që kemi është aftësia për të lëshuar interceporë bllokues SM-3 Block IB për raketat balistike që hyjnë nga Irani", ka thënë për Radion Evropa e Lirë komandanti John Fitzpatrick.

“Kjo bazë aktualisht nuk ka kapacitete tjera. Do të duheshin ndryshime të gjera, ndryshime në shkallë industriale, për të pasur ndonjë dallim”, ka shtuar ai.

Në qendrën e operimit të objektit, ambasadorët dhe gazetarët janë lejuar të shohin tastierat që përdor Marina amerikane për të kontrolluar mburojën raketore, e cila kurrë nuk ka hedhur ndonjë raketë dhe e ka të ndaluar të kryejë ndonjë provë.

Secili stacion operimi në Develesu ka tre ekrane kompjuterësh, së bashku me sistemet e komunikimit dhe çelësat e lëshimit të raketave, në përgjigje të ndonjë rakete sulmuese në Evropë.

Ambasadorët në turne janë mbledhur gjithashtu në një sallë, ku zyrtarët amerikanë dhe rumunë ushtarakë i kanë shpjeguar detektorët që paralajmërojnë për sulme raketore.

Në total kanë qenë rreth 500 ushtarë rumunë, 250 trupa amerikane dhe personel tjetër që punon në bazë.

"Ne punojmë së bashku edhe nëse jemi tri njësi. Misioni ynë është ta mbajmë sistemin funksional 24 orë në ditë", ka thënë për Radion Evropa e Lirë komandanti i bazës rumune, kolonel Razvan Bratulescu.

Rusia është ankuar për zgjerimin e NATO-s me vendet që, gjatë kohës sovjetike, kanë qenë pjesë e Bllokut Lindor, por anëtaret lindore të NATO-s e shohin aleancën si burimin kryesor të sigurisë përballë agresionit në rritje të Rusisë.

Rumania, e cila është anëtarësuar në NATO më 2004, gjithashtu e konsideron partneritetin e saj strategjik me Shtetet e Bashkuara si një garantues të sigurisë.

Por, shqetësimet në aleancë janë rritur qysh në fillim të nëntorit kur presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i ka thënë revistës The Economist se Evropa nuk mund të mbështetet më te Shtetet e Bashkuara për mbrojtjen e aleatëve të NATO-s.

"Ajo që ne po përjetojmë tani është vdekja në tru e NATO-s", ka thënë Macron për The Economist.

Ambasadorja e Francës në Rumani, Michele Ramis, ka thënë gjatë turneut në Deveselu se “nuk e komenton strukturën e NATO-s”.

"Ajo që ka thënë presidenti është se struktura ushtarake, zinxhiri i komandës po funksionon shumë mirë", ka thënë Ramis për Radion Evropa e Lirë.

"Ai thjesht ka thënë se nga këndvështrimi politik, do të dëshironte të kishte më shumë konsultime midis aleatëve të NATO-s”, ka thënë Ramis.

"Ai nuk po fliste për vlerën e strukturës", ka shtuar ajo.

Këto çështje pritet të ngrihen në Londër, kur liderët e NATO-s të mblidhen për të shënuar 70-vjetorin e aleancës dhe për të diskutuar drejtimin e saj të ardhshëm.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, gjithashtu pritet të përpiqet t’i bindë aleatët e SHBA-së në samit se ata duhet të rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG