Ndërlidhjet

Anëtari i presidencës së Bosnjës viziton Pentagonin


Anëtari i presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës, Zhelko Komshiq.

Anëtari i presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës, Zhelko Komshiq, zhvilloi një vizitë pune në Pentagon, vetëm pak ditë pasi Bosnja ndërmori hapa për të aktivizuar Planin e Veprimit për Anëtarësim në NATO.

Komshiq u takua me James Anderson, i cili kryen detyrat e zëvendësit të nënsekretarit të mbrojtjes.

Ka qenë kjo vizita e parë zyrtare e Komshiqit në SHBA, tha përmes një deklarate Departamenti amerikan i Mbrojtjes.

Komshiq, anëtar kroat i presidencës së Bosnjës, së bashku me anëtarin boshnjak u pajtuan më 21 nëntor për miratimin e Zoran Tegeltijas si kryeministër, duke i dhënë fund mungesës njëvjeçare të qeverisë në Bosnje.

Kjo ndodhi pasi anëtari serb i presidencës, Millorad Dodik, u pajtua për paraqitjen e Programit Vjetor Kombëtar në NATO, që është hapi i parë drejt aktivizimit të Planit të Veprimit për Anëtarësim.

Tegeltija, nacionalist serb që ka kundërshtuar anëtarësimin në NATO, është emëruar për herë të parë për këtë post në tetor të vitit 2018, pas zgjedhjeve kombëtare, por është bllokuar nga Komshiq dhe anëtari boshnjak i presidencës, Shefik Xhaferoviq.

Pentagoni nuk dha detaje se çfarë kanë diskutuar dy zyrtarët ose nëse është arritur ndonjë marrëveshje.

Shtetet e Bashkuara janë duke u bërë më aktive në Ballkan, për shkak të ndikimit në rritje të Rusisë dhe Kinës në rajon.

Në muajin gusht, Uashingtoni ka emëruar Matthew Palmerin të dërguar të posaçëm për Ballkanin.

Lexoni edhe këtë:

XS
SM
MD
LG