Ndërlidhjet

Iraku angazhon ekipe ushtarake për shtypje të kryengritjeve civile


Pamje nga protestat në Irak.

Iraku ka angazhuar ekipe ushtarake për menaxhim të krizës me qëllim të shtypjes së kryengritjeve civile, të cilat kanë lënë më shumë se 300 persona të vdekur.

Qindra mijëra irakianë kanë dalë nëpër rrugë, duke kërkuar më shumë vende të punës, dhënie fund të korrupsionit dhe shërbime më të mira publike.

Protestat janë përshkallëzuar pasi personeli i sigurisë është përgjigjur me dhunë.

Tetë persona kanë vdekur të enjten në qytetin jugor, Nasiriya, pasi forcat e sigurisë kanë nisur zjarr drejt protestuesve.

Ata po ashtu akuzojnë Iranin për përfshirje në çështjet e brendshme të Irakut dhe për përkrahje të qeverisë.

Një grup protestuesish kanë nisur zjarr në konsullatën e Iranit në qytetin Najaf të mërkurën.

Protestuesit kanë bërtitur “Irani jashtë Irakut” teksa flakët kanë përfshirë ndërtesën.

Është raportuar se ekipi i konsullatës ka arritur të largohet para se protestuesit të nisin sulmin.

Kryeministri irakian, Adel Abdul Mahdi ka fituar këtë pozitë një vit më parë, duke premtuar kryerje të reformave.

Irakianët e rinj janë zemëruar nga dështimi i tij në të luftuarit e papunësisë së madhe, korrupsionit endemik dhe shërbimeve të dobëta publike.

Pas valës së parë të protestave që kanë zgjatur gjashtë ditë, Mahdi pati premtuar se do ta ndryshonte strukturën e kabinetit qeveritar, do të ulte pagat e zyrtarëve të lartë, dhe se do të krijonte skema për të ulur nivelin e papunësisë në mesin e të rinjve.

Mirëpo protestuesit kanë thënë se kushtet e tyre nuk janë përmbushur dhe kanë dalë sërish në rrugë në fund të muajit tetor.

Presidenti, Barham Saleh ka thënë se kryeministri do të japë dorëheqje nëse partitë pajtohen për zëvendësimin e tij.

XS
SM
MD
LG