Ndërlidhjet

SHBA: Rusia e ndihmoi Sirinë në fshehjen e sulmeve kimike


Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW).

Shtetet e Bashkuara, të enjten, akuzuan Rusinë se e ka ndihmuar Sirinë për të fshehur përdorimin e municioneve të ndaluara kimike gjatë luftës civile.

Përfaqësuesi i SHBA-së në Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW), Kenneth Ward, tha se ky veprim rus, ka minuar punën e organizatës, për të identifikuar ata që janë përgjegjës në përdorimin e armëve kimike.

Deklarata e tij u kundërshtua fuqishëm nga ana e Rusisë.

Ekipi i Hetimit dhe Identifikimit të OPCW-së, i cili u krijua me një shumicë votash nga shtetet anëtare, po heton, midish tjerash, se kush ishte përgjegjës për sulmin kimik në Douma në prill të vitit 2018, ku mbetën të vrarë 40 njerëz.

Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca u hakmorën një javë më vonë duke sulmuar me raketa objektivat e qeverisë Siriane, në kuadër të aksionit më të madh ushtarak perëndimor, kundër autoriteteve të Damaskut, gjatë luftës tetë vjeçare.

Siria dhe Rusia mohojnë që ndonjëherë të ketë pasur një sulm kimik në Douma, duke thënë se ngjarja u organizua duke përdorur trupa të sjellur nga diku tjetër, për të arsyetuar intervenimin ushtarak.

Ambasadori rus në OPCW, Alexander Shulgin përsëriti kundërshtimet për krijimin e këtij ekipi, duke thënë se ai ishte i paligjshëm dhe i politizuar.

Përfaqësuesi i Sirisë në OPCW u zotua të mos bashkëpunojë me hetimet e ekipit.

XS
SM
MD
LG