Ndërlidhjet

Kushte shqetësuese në kampet e migrantëve në Greqi


Filippo Grandi
Filippo Grandi

Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, Filippo Grandi tha se kushtet në kampin e migrantëve në Lesbos të Greqisë janë “jashtëzakonisht shqetësuese”.

"Kushtet në të cilat jetojnë njerëzit janë jashtëzakonisht shqetësuese. Ekziston një ndjenjë e madhe dëshpërimi dhe mungesa e perspektivës e vështirëson situatën", tha Grandi.

Gjatë një vizite në Greqi, ai theksoi se ky vend po e ndjen barrën e mijëra migrantëve që qëndrojnë aty, dhe se Bashkimi Evropian duhet të hartojë një politikë për të lehtësuar krizën.

"Durimi dhe mikpritja tani janë më pak të dukshme se më parë", u tha Grandi gazetarëve në Athinë.

Qeveria e re konservatore e Greqisë, e zgjedhur në korrik, ka marrë një qëndrim më të ashpër ndaj krizës së migrantëve në krahasim me paraardhësen e saj të majtë.

Greqia vazhdon të jetë në vijën e parë të krizës së migracionit në Evropë dhe në periudhën e fundit ka pasur një rritje të numrit të migrantëve që hyjnë në territorin grek nga Turqia.

Migrantët janë kryesisht nga zonat e konfliktit në Lindje të Mesme.

Athina ka njoftuar planet për të mbyllur kampe të mbipopulluara të refugjatëve në ishujt e Egjeut dhe t'i zëvendësojë ato me qendra mbajtëse.

XS
SM
MD
LG