Ndërlidhjet

Turqia kundërshton deklaratat e Macronit


Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, hodhi poshtë kritikat e presidentit francez, Emmanuel Macron, për ofensivën e Turqisë në Siri kundër milicisë kurde, duke thënë se udhëheqësi francez “sponsorizon terrorizmin”.

"Ai tashmë është sponsori i organizatës terroriste dhe i pret vazhdimisht ata në pallatin presidencial Elize", tha Cavusoglu.

"Tani për tani, ka një boshllëk në Evropë, (Macron) po përpiqet të jetë udhëheqësi i saj, por udhëheqja vjen natyrshëm", u tha ai gazetarëve.

Muajin e kaluar, Macron u takua me Jihane Ahmed, zëdhënëse e Forcave Demokratike Siriane (SDF) që gëzojnë mbështetjen e SHBA-së, për të shprehur solidaritetin e Francës në luftën e tyre kundër grupit militant, Shtetit Islamik në Siri.

Turqia e konsideron YPG-në si një grup terrorist dhe është zemëruar nga mbështetja që aleatët e saj i kanë dhënë këtij grupi.

Sulmi turk në veri të Sirisë, i filluar më 9 tetor, u dënua nga aleatët e Ankarasë në NATO, përfshirë Francën.

Më parë të enjten, Macron tha se Turqia nuk mund të priste solidaritet nga aleatët e NATO-s, kur filloi ofensivën e saj në Sirinë verilindore.

Lidhjet midis Turqisë dhe Francës nuk kanë qenë të mira vitet e fundit, por komentet e Macronit dhe Cavusoglut nxjerrin në pah tensionet në rritje përpara samitit të 70-vjetorit të NATO-s javën e ardhshme në Londër.

Reuters raportoi të martën se Turqia po refuzonte të mbështeste një plan të mbrojtjes së NATO-s për vendet Baltike dhe Poloninë derisa të merrte më shumë mbështetje politike për luftën e saj kundër militantëve kurdë në Siri.

“Sidoqoftë, ajo që kërkohet për vendet e Baltikut duhet të bëhet gjithashtu për ne. Ne jemi gjithashtu aleatë", tha Cavusoglu.

XS
SM
MD
LG