Ndërlidhjet

Kryeministri i Irakut ofron dorëheqjen, për shkak të protestave


Kryeministri i Irakut, Adel Abdul Mahdi.
Kryeministri i Irakut, Adel Abdul Mahdi.

Kryeministri i Irakut, Adel Abdul Mahdi, do të dorëzojë dorëheqjen, tha zyra e tij, pas vrasjes së mbi 40 njerëzve të enjten - në ditën më të përgjakshme të protestave anti-qeveritare.

Vendimi i Mahdit vjen pasi kleriku kryesor mysliman i Irakut, Ajatollah Ali al-Sistani, e dënoi përdorimin e forcës kundër protestuesve dhe bëri thirrje për qeveri të re.

Afro 400 njerëz janë vrarë në protestat anti-qeveritare në Irak prejse kanë nisur në fillim të tetorit.

Protestuesit kërkojnë vende pune, fund të korrupsionit dhe shërbime më të mira publike.

Në deklaratën e zyrës së Mahdit thuhet se ai do ta paraqesë dorëheqjen në parlament, në mënyrë që ligjvënësit të mund të zgjedhin qeverinë e re.

Bagdad, 28 nëntor 2019.
Bagdad, 28 nëntor 2019.

"Në përgjigje të thirrjes (së Ajatollahut), unë do t'ia paraqes parlamentit kërkesën për të pranuar dorëheqjen time nga udhëheqja e qeverisë aktuale", thuhet në deklaratën e nënshkruar nga Mahdi.

Deklarata nuk e saktëson se kur do të paraqitet dorëheqja, por, të dielën, Parlamenti i Irakut do të zhvillojë një seancë urgjente për të diskutuar krizën.

Më herët, Ajatollah Sistani tha se qeveria duket se "nuk është në gjendje të merret me ngjarjet e dy muajve të fundit".

Ajatollahu tha se sulmet ndaj protestuesve paqësorë janë "të ndaluara" dhe gjithashtu u kërkoi protestuesve që të shmangin dhunën dhe "të largojnë huliganët" nga mesi i tyre.

Iraku ka një popullsi prej afro 40 milionë banorësh dhe është prodhuesi dhe eksportuesi i pestë më i madh i naftës në botë, por niveli i përgjithshëm i varfërisë qëndron në mbi 20 për qind të popullsisë.

Papunësia e të rinjve është 25 për qind - dyfishi i nivelit të përgjithshëm.

XS
SM
MD
LG