Ndërlidhjet

Thaçi: Vonesat e BE-së, thirrje për trazira të reja në Ballkan


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Bashkimi Evropian "po vonon dhe po gabon" në Ballkanin Perëndimor.

"Kjo vonesë është thirrje për trazira të reja në Ballkanin Perëndimor", tha Thaçi, i cili mori pjesë në një konferencë kushtuar këtij rajoni, të organizuar nga instituti "Friends of Europe", me seli në Bruksel.

Sipas Thaçit, hezitimi i BE-së për zgjerimin krijon vakuum në rajon, i cili do të shfrytëzohet nga elemente të tjera.

"Derisa Bashkimi Evropian vonon ndaj Ballkanit Perëndimor, ideologjitë joperëndimore kanë mundësinë të shpërthejnë në aspektin e sigurisë, politik dhe ekonomik", tha Thaçi.

Situatën aktuale të marrëdhënieve midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, Thaçi e vlerësoi si "sfiduese, të komplikuar dhe të rrezikshme".

Ai shfaqi shpresën se viti i ardhshëm do të jetë vit i stabilizimit afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.

Që kjo të arrihet, Thaçi tha se duhet të ndodhin tri gjëra: liberalizimi i vizave për Kosovën, hapja e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, si dhe arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme midis Kosovës dhe Serbisë, e cila do t'i normalizojë marrëdhëniet midis këtyre dy vendeve.

XS
SM
MD
LG