Ndërlidhjet

NATO: Veprimet agresive të Rusisë paraqesin kërcënim


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, kryeministri britanik, Boris Johnson dhe presidenti amerikan, Donald Trump në Samitin e NATO-s në Londër.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, kryeministri britanik, Boris Johnson dhe presidenti amerikan, Donald Trump në Samitin e NATO-s në Londër.

Udhëheqësit e vendeve anëtare të NATO-s thanë të mërkurën se "veprimet agresive" të Rusisë ishin një kërcënim për sigurinë euro-atlantike dhe se ndikimi në rritje i Kinës ka paraqitur sfidë për aleancën.

Në një deklaratë të lëshuar pas një samiti të mbajtur në periferi të Londrës, 29 udhëheqësit riafirmuan "lidhjet e qëndrueshme transatlantike" midis Evropës dhe Amerikës së Veriut, dhe marrëveshjen e mbrojtjes së ndërsjellë midis tyre, përmes së cilës një sulm kundër një vendi anëtar vlerësohet si një sulm kundër të gjithëve.

Ata gjithashtu ftuan sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg që të fillojë procesin e reflektimit mbi të ardhmen e aleancës.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, anuloi një konferencë të planifikuar për shtyp pas samitit.

"Kur të mbarojnë takimet e ditës së sotme, unë do të shkoj përsëri në Uashington. Ne nuk do të bëjmë një konferencë për shtyp në afërsi të NATO-s sepse kemi bërë kaq shumë gjatë dy ditëve të fundit. Udhëtime të sigurta për të gjithë!", ka shkruar në Twitter presidenti amerikan.

Samiti u mbajt në 70-vjetorin e themelimit të aleancës ushtarake, e cila u krijua nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe 10 vende evropiane në 1949 mbi parimin e mbrojtjes kolektive, mes shqetësimeve për zgjerimin sovjetik.

Në hapje të takimit mikpritësi i samitit, kryeministri britanik, Boris Johnson, tha se vendet aleate nuk duhet të tremben asnjëherë nga diskutimi për realitetet e reja dhe kërcënimet emergjente.

“Historia tregon se paqja nuk mund të mbetet si diçka e garantuar”, tha Johnson.

Ai deklaroi më pas se udhëheqësit e NATO-s e kanë mundësinë të forcojnë unitetin dhe qëllimet e aleancës.

Me gjithë deklarimet për unitet dhe mbrojtje të përbashkët, takimi dyditor kaloi nën hijen e një tensioni midis vendeve aleate.

Dita e parë e samitit dyditor përfshinte një pritje nga Mbretëresha Elizabeth II në Pallatin Buckingham, një vizitë, rezidencën zyrtare të kryeministrit britanik dhe takime të ndara midis krerëve të NATO-s.

Fillimi i samitit u karakterizua nga mosmarrëveshjet midis aleatëve për çështje përfshirë operacionin ushtarak të Turqisë në Siri, si dhe komentet e muajit të kaluar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili kishte deklaruar se NATO-s i ka "vdekur nga truri" dhe se angazhimi i SHBA-së për bllokun po venitet.

Disa orë pasi arriti në Londër, presidenti amerikan Donald Trump tha se përshkrimi i Macronit për NATO-n është “shumë fyes” dhe se ai ishte treguar "shumë mosrespektues" në ato komente.

Sidoqoftë, presidenti amerikan u tregua më i butë ndaj liderit francez gjatë takimit të tyre të përbashkët më vonë gjatë ditës, duke thënë se Uashingtoni dhe Parisi ndajnë së bashku “përpjekje shumë të mira", ndërsa theksoi se ekzistojnë disa "mosmarrëveshje të vogla" mbi tregtinë.

Derisa po përgatitej mbajtja e samitit, dy çështje kyçe janë ngritur nga ana e vendeve anëtare: shpenzimet e mbrojtjes dhe marrëdhëniet midis Turqisë dhe vendeve të tjera anëtare si Franca.

Para nisjes për në kryeqytetin britanik, presidenti turk Reccep Tayyip Erdogan, tha se ai do të kundërshtonte planin e NATO-s për mbrojtjen e vendeve baltike nëse aleanca nuk e mbështet Turqinë në luftën e saj kundër grupeve kurde në Siri që ajo i konsideron terroriste.

Udhëheqësit e tjerë kanë kundërshtuar një veprim të tillë, pasi forcat e udhëhequra nga kurdët dëbuan luftëtarët e grupit ekstremist të Shtetit Islamik jashtë Sirisë lindore me ndihmën e një koalicioni shumëkombësh të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

"Kur shikoj Turqinë, ata tani po luftojnë kundër atyre që luftuan me ne krah për krah kundër [grupit IS]", tha presidenti francez Macron më 3 dhjetor.

Macron gjithashtu bëri thirrje për bisedime gjithëpërfshirëse me Rusinë, mes tensioneve të vazhdueshme midis Moskës dhe Perëndimit.

"Është i rëndësishëm një dialog strategjik me Rusinë", tha Macron, duke shtuar se aleanca duhet ta bëjë këtë "me sy të hapur".

Presidenti rus, Vladimir Putin, më parë kishte deklaruar se Rusia ishte e hapur për bashkëpunim me NATO-n lidhur me kërcënimet e përbashkëta, përfshirë terrorizmin ndërkombëtar, por theksoi se përpjekjet për të krijuar lidhje më të ngushta ishin "praktikisht të kufizuara".

Presidenti amerikan, Donald Trump, i cili ka bërë presion të madh që vendet e tjera anëtare të NATO-stë përmbushin obligimet e shpenzimeve të aleancës, e diskutoi këtë çështje me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg.

"Ne po bëjmë përparim të vërtetë, më e rëndësishmja në ndarjen e barrës financiare", tha Stoltenberg në takim.

Ai tha se aleatët evropianë dhe Kanadaja kishin shtuar 130 miliardë dollarë në buxhetet e mbrojtjes që nga viti 2016 dhe se ky numër do të rritet në 400 miliardë dollarë deri në vitin 2024.

Vlerësimet e NATO-s tregojnë se tani ka gjithsej nëntë vende që përmbushin objektivin e rënë dakord nga anëtarët për të shpenzuar të paktën 2 përqind të produktit të tyre të brendshëm bruto në mbrojtje.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG