Ndërlidhjet

Algjeria burgos dy ish-kryeministra për korrupsion


Protestuesit, tash e sa muaj, kërkojnë reforma gjithëpërfshirëse në Algjeri.
Protestuesit, tash e sa muaj, kërkojnë reforma gjithëpërfshirëse në Algjeri.

Një gjykatë në Algjeri i dënoi dy ish-kryeministra me burgim të gjatë, për shkak të përfshirjes në vepra korruptive.

Ahmed Ouyahia u dënua me 15 vjet, ndërsa Abdelmalek Sellal me 12 vjet.

Ata u akuzuan për keqpërdorim të autoritetit në një skandal të korrupsionit.

Është hera e parë prejse Algjeria ka shpallur pavarësinë nga Franca, më 1962, që ish-kryeministrat nxirren në gjykim.

Të dy ata kanë qenë aleatë të presidentit Abdelaziz Bouteflika, i cili ka dhënë dorëheqje për shkak të protestave masive kundër tij, në muajin prill.

Protestuesit kanë vazhduar të bëjnë thirrje për reforma gjithëpërfshirëse, duke i akuzuar liderët e partisë qeverisëse për korrupsion.

Ouyahia dhe Sellal janë në mesin e 19 të pandehurve të gjykuar nën akuzat për pastrim të parave, shpërdorim të detyrës dhe dhënie të privilegjeve të panevojshme në industrinë e montimit të automjeteve.

Skandali në sektorin e automjeteve ka nisur në vitin 2014 përmes partneriteteve midis grupeve të huaja dhe korporatave të mëdha algjeriane, që kryesisht kanë qenë të lidhura me njerëz të afërt me Bouteflikan.

Aktgjykimi vjen dy ditë para zgjedhjeve presidenciale në Algjeri - të parat prejse Bouteflika është detyruar të japë dorëheqje.

Aktivistët pro demokracisë i shohin zgjedhjet si përpjekje nga aleatët e Bouteflikas për të mbajtur pushtetin dhe kanë kërkuar anulimin e tyre.

XS
SM
MD
LG