Ndërlidhjet

Poroshenko: Zelenskiy nuk ka kaluar "linja të kuqe" në bisedë me Putinin


Ish-presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko.
Ish-presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko.

Ish-presidenti ukrainas, Petro Poroshenko ka thënë se pasardhësi i tij, Volodymyr Zelenskiy nuk ka kaluar ndonjë “linjë të kuqe” në bisedat e tij të fundit me presidentin rus, Vladimir Putin, sa i përket zgjidhjes së konfliktit në lindje të Ukrainës.

Në një intervistë për Shërbimin rus të Radios Evropa e Lirë në Kiev, Poroshenko ka thënë se takimi në Paris nuk ka qenë as “një hap përpara as dy mbrapa”.

Bisedimet në kryeqytetin francez, të sponsoruara nga Franca dhe Gjermania kanë zgjatur për tetë orë, mirëpo nuk kanë rezultuar me ndonjë pikë kthese.

Në takimin e tyre të parë ballë për ballë, Putin dhe Zelenskiy janë pajtuar për të shkëmbyer të burgosurit dhe është zotuar për të siguruar një armëpushim afatgjatë në mes të trupave ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia, në konfliktin që ka lënë më shumë se 13,000 persona të vdekur dhe ka shkatërruar lindjen e Ukrainës.

Megjithatë ata nuk kanë shënuar përparim në mbajtjen e zgjedhjeve lokale në zonat e kontrolluara nga separatistët.

Poroshenko ka thënë se Zelenskiy nuk ka dëmtuar interesat kombëtare të Ukrainës.

Përveç tjerash ai ka thënë se koha do të tregojë nëse samiti i Parisit mes Zeleskiyt dhe Putinit do të rezultojë i suksesshëm.

Bisedimet në Paris janë fokusuar në zbatimin e marrëveshjes për paqe të arritur më 2015 në Minsk, për të arritur paqe në Ukrainë.

Në marrëveshjen e Minskut përcaktohet se Ukraina mund të rifitojë kontrollin e kufirit me Rusinë, vetëm pasi të mbahen zgjedhjet lokale dhe të garantohet një rregull.

Më 10 dhjetor, Zyra Shtetërore e Hetimeve në Ukrainë ka konfirmuar se ka nisur hetime për të vërtetuar nëse Poroshenko ka kryer tradhti duke nënshkruar këtë marrëveshje.

Poroshenko ka thënë se marrëveshja e Minskut është “arsyetuar” dhe ka fajësuar pozicionin “jobashkëpunues të Rusisë” për dështimin e zbatimit të këtij dokumenti.

XS
SM
MD
LG