Ndërlidhjet

Dënim me vdekje për ish-udhëheqësin e Pakistanit


Ish-udhëheqësi ushtarak i Pakistanit, gjenerali Pervez Musharraf.
Ish-udhëheqësi ushtarak i Pakistanit, gjenerali Pervez Musharraf.

Një gjykatë në Islamabad e dënoi me vdekje ish-udhëheqësin ushtarak të Pakistanit, gjeneralin Pervez Musharraf.

Ai u dënua në mungesë, pasi u shpall fajtor për tradhti.

Musharraf ka marrë udhëheqjen e Pakistanit me një grushtshtet në vitin 1999 dhe ka shërbyer si president i këtij vendi nga viti 2001 deri më 2008.

Qysh në vitin 2016, ai ndodhet në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe, ku ka shkuar për trajtim mjekësor.

Akuzat për tradhti lidhen me vendimin e Musharrafit më 2007, për të pezulluar kushtetutën dhe për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme.

Ky veprim - me synim të zgjatjes së mandatit të tij- ka shkaktuar protesta masive dhe Musharraf ka dhënë dorëheqje më 2008.

Ai ka refuzuar të paraqitet para gjykatës, pavarësisht urdhrave të shumtë.

Javë më parë, Musharraf lëshoi një video-deklaratë nga spitali, duke e cilësuar rastin kundër tij si “të pabazë”.

Përse është i rëndësishëm rasti i Musharrafit?

Rasti kundër Musharrafit ka nisur qysh në vitin 2013.

Ai është udhëheqësi i parë ushtarak që është gjykuar në Pakistan për shkelje të kushtetutës.

Ushtria ka sunduar Pakistanin për pothuajse gjysmën e kohës prejse është pavarësuar nga Britania, më 1947.

Shumë nga shefat e ushtrisë ose kanë sunduar direkt, ose kanë pasur ndikim të rëndësishëm në bërjen e politikave gjatë periudhave të sundimit civil.

Sipas Kushtetutës së Pakistanit, kushdo që dënohet për tradhti mund të përballet me dënim me vdekje.

Musharraf thuhet se është shumë i sëmurë dhe nuk ka gjasa të kthehet në Pakistan për të vuajtur dënimin.

Pakistani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nuk kanë marrëveshje ekstradimi.

Kush është gjenerali Musharraf?

Pakistanezët duke shikuar lajmet për dënimin me vdekje të Musharrafit
Pakistanezët duke shikuar lajmet për dënimin me vdekje të Musharrafit

Musharraf është emëruar udhëheqës i ushtrisë pakistaneze më 1998.

Përfshirja e ushtrisë në Luftën e Kargilit në Kashmir në maj të vitit 1999 ka shkaktuar çarje të mëdha midis tij dhe kryeministrit të atëhershëm, Nawaz Sharif, dhe Musharraf e ka marrë pushtetin me puç, po atë vit.

Duke shërbyer si president deri në vitin 2008, Musharraf u ka mbijetuar përpjekjeve të shumta për vrasje dhe komploteve kundër tij.

Ai njihet ndërkombëtarisht për rolin e tij në luftën e SHBA-së kundër terrorizmit, të cilën e ka mbështetur pas sulmeve të 11 Shtatorit, pavarësisht kundërshtimeve të brendshme.

Gjenerali Musharraf është larguar nga Pakistani pasi ka hequr dorë nga presidenca më 2008, por është rikthyer në vitin 2013 për të garuar në zgjedhjet e përgjithshme.

Megjithatë, atij i është ndaluar gara nga gjykata.

Ai është transferuar në Karaçi në prill të vitit 2014, ku ka jetuar deri më 2016.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG