Ndërlidhjet

AGK reagon pas raportimeve për sulm ndaj një gazetari nga ministri Shala


Ilustrim.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar ashpër raportimet për sulmin fizik të ministrit në detyrë të Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës, Endrit Shala kundër gazetarit Ensar Ramadani.

Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, AGK-ja ka cituar portalin IndeksOnline, të ketë raportuar se ministri Shala e ka goditur në fytyrë gazetarin, derisa ai ka qenë duke kryer detyrën e tij.

“Në vendngjarje, Shala i ka kërkuar telefonin gazetarit dhe pas refuzimit të kësaj kërkese, Shala e ka sulmuar fizikisht atë duke e goditur në fytyrë”, është thënë mes tjerash në postim.

Përveç kësaj, Asociacioni ka thënë se ka siguruar edhe një deklaratë të Policisë së Kosovës, duke bërë të ditur se Ramadani është marrë në pyetje dhe rasti është duke u hetuar.

“AGK dënon këtë sulm dhe çdo sulm tjetër fizik e verbal që bëhet nga politikanët dhe bartësit e institucioneve dhe fton policinë, prokurorinë dhe të gjithë sistemin e drejtësisë të trajtojnë me prioritet rastet e gazetarëve”, është thënë në postim.

Pa numëruar rastin e fundit, AGK-ja i ka thënë Radios Evropa e Lirë më herët gjatë ditës së martë se gjatë këtij viti në Kosovë, 17 gazetarë janë përballur me sulme fizike apo janë penguar gjatë kryerjes së detyrës së tyre.

Gazetarët mbeten cak i sulmeve e kërcënimeve

Po të martën, Organizata e Reporterëve pa Kufij ka thënë në raportin e saj vjetor se gazetaria mbetet një "profesion i rrezikshëm", me 49 gazetarë të vrarë këtë vit, 389 të burgosur dhe 57 të tjerë pengje.

Në raport është thënë edhe se numri i gazetarëve të vrarë në vitin 2019 është "në nivelin më të ulët në 16 vjet".

Hollësitë e raportit të Organizatës së Reporterëve pa Kufij

XS
SM
MD
LG