Ndërlidhjet

Kuvendi i Shqipërisë po diskuton për pakon "anti-shpifje", gazetarët protestojnë


Tiranë

Kuvendi i Shqipërisë po diskuton pakon “anti-shpifje” për të cilën kritikët dhe përfaqësuesit e mediave thonë se minon lirinë e shprehjes dhe pavarësinë e mediave.

Një numër i gazetarëve dhe përfaqësuesve të mediave në Shqipëri po mbajnë një protestë para parlamentit, për të kundërshtuar këtë nismë ligjore.

Grupet e gazetarëve e kanë kundërshtuar projekt-ligjin, pasi pretendojnë se ai rrit kontrollin qeveritar ndaj mediave.

Njëri nga protestuesit, Besart Likmeta, përfaqësues i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), i tha Zërit të Amerikës se projektligji është jodemokratik.

“Ky është një proces thellësisht jodemokratik. Këshillat e Shoqatave të gazetarëve, Komisionit Evropian dhe OSBE-së nuk janë dëgjuar nga parlamenti”, tha Likmeta.

“Ligji është antidemokratik, cenon lirinë e shprehjes dhe orientimin pro- evropian të Shqiperisë”, shtoi ai.

Shqetësime për pakon ligjore kanë shprehur edhe Këshilli i Evropës dhe Komisioni Evropian.

Komisionarja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviq, tha të martën, se pakoja e propozuar ka nevojë për "përmirësim urgjent", pasi disa dispozita nuk janë në përputhje me standardet ndërkombëtare të lirisë së shtypit. Mijatoviq u kërkoi ligjvënësve shqiptarë të ndryshojnë legjislacionin në përputhje me rregullat evropiane.

Konkretisht, ajo shprehu shqetësime lidhur me kompetencat që ky ligj u jep dy organeve rregullatore, Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Shqipërisë dhe Autoritetit të Mediave Audiovizive, për të bllokuar faqet e internetit të mediave, pa një urdhër gjykate.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian, i pyetur nga Zëri i Amerikës, ka thënë se varianti i fundit nuk merr paraysh një sërë rekomandimesh që i janë bërë nga faktorë të ndryshëm ndërkombëtar.

Por, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përmes një postimi në rrjetin social Twitter, ka thënë se projektligji që do ta shqyrtojë parlamenti është përgatitur pas një punë të përbashkët me OSBE-në.

“Keqardhje për ata që lirinë e shprehjes e përdorin për t’u ankuar për mungesën e lirisë; për ata që nxjerrin deklarata pa lidhje fare me ligjin e ri; për ata që çirren për diktat imagjinar mbi mediat dhe për të gjithë bashkë që as nuk e kanë lexuar tekstin”, ka shkruar Rama.

XS
SM
MD
LG