Ndërlidhjet

Merkel: Nuk ka pasur presion të Pekinit për përfshirje të Huaweit në rrjetin 5G


Kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka thënë të mërkurën se nuk është e vetëdijshme për ndonjë lloj presioni nga Pekini për të përfshirë Huawein në rrjetin e gjeneratës së re të komunikimeve (5G), teksa janë rritur shqetësimet që gjiganti kinez mund të shfrytëzohet për spiunim.

“Nuk kam dëgjuar për ndonjë presion nga autoritetet shtetërore kineze”, u ka thënë Merkel ligjvënësve gjermanë, kur është pyetur nëse Pekini ka kërkuar që të ndikojë në vendimmarrjen e Gjermanisë.

Pavarësisht kundërshtimeve të thella nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatë tjerë, Gjermania ka refuzuar t’i ndalojë Huaweit ndonjë rol në zhvillimin e rrjetit të ri telefonik për komunikime.

Merkel ka përsëritur se Gjermania do të insistojë në rritje të standardeve të sigurisë, pa u vënë ndalesë kompanive individuale.

“Unë jam kundër përjashtimit të një kompanie, mirëpo preferoj të bëj gjithçka për të garantuar siguri”, ka thënë ajo në një sesion pyetje-përgjigje në parlament.

Kritikët kanë akuzuar Gjermaninë për bashkëpunimin me Kinën, duke thënë se po i bën primare interesat e saj ekonomike.

Gjiganti Huawei ka mohuar vazhdimisht pretendimet se pajisjet e tij mund të shfrytëzohen për spiunim nga Pekini.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka urdhëruar kompanitë amerikane që të ndalin bizneset me këtë kompani, për shkak të shqetësimeve për spiunim.

Australia dhe Japonia po ashtu ka marrë hapa për t’ia ndaluar kompanisë përfshirjen në rrjetin 5G.

Më herët gjatë këtij muaji, kryeministri britanik, Boris Johnson ka dhënë shenja se edhe Britania do të veprojë njëjtë.

XS
SM
MD
LG