Ndërlidhjet

Parlamenti i Shqipërisë miraton pakon "anti-shpifje"


Ilustrim.

Deputetët e Parlamentit të Shqipërisë kanë miratuar pakon “anti-shpifje”, që autorizon gjoba të rënda në mediat online dhe u jep më shumë pushtet rregullatorëve qeveritarë të mediave.

Gjatë ditës, dhjetëra gazetarë dhe organizata të shoqërisë civile u kanë bërë thirrje deputetëve që të kundërshtojnë këtë projektligj, duke thënë se ai “kërcënon lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave në këtë shtet”, si dhe është në kundërshtim me parimet ndërkombëtare.

Gazetarët që kanë protestuar të mërkurën kanë thënë se do t’i sfidojnë këto masa në Gjykatën Kushtetuese.

Shqetësime për pakon ligjore kanë shprehur edhe Këshilli i Evropës dhe Komisioni Evropian.

Komisionarja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviq, tha të martën, se pakoja e propozuar ka nevojë për "përmirësim urgjent", pasi disa dispozita nuk janë në përputhje me standardet ndërkombëtare të lirisë së shtypit. Mijatoviq u kërkoi ligjvënësve shqiptarë të ndryshojnë legjislacionin në përputhje me rregullat evropiane.

Ajo ka shprehur shqetësime lidhur me kompetencat që ky ligj u jep dy organeve rregullatore, Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Shqipërisë dhe Autoritetit të Mediave Audiovizive, për të bllokuar faqet e internetit të mediave, pa një urdhër gjykate.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian, i pyetur nga Zëri i Amerikës, ka thënë se varianti i fundit nuk merr paraysh një sërë rekomandimesh që i janë bërë nga faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë.

XS
SM
MD
LG