Ndërlidhjet

Afganistan: Komisioni Zgjedhor thotë se Ghani ka fituar edhe një mandat


Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani.

Zyrtarët zgjedhorë në Afganistan kanë njoftuar se presidenti Ashraf Ghani ka fituar mandatin e dytë në krye të shtetit, duke fituar 50,6 për qind, pas numërimit preliminar të votave.

Hawa Alam Nuristani, kryetare e Komisionit të Pavarur Zgjedhor, bëri këtë njoftim gjatë një konference për media.

Publikimi i rezultateve të zgjedhjeve presidenciale, që u mbajtën më 28 shtator, janë shtyrë vazhdimisht, në mes të akuzave për keqpërdorime dhe probleme teknike gjatë numërimit të votave.

Kundërkandidati kryesor i Ghanit, Abdullah Abdullah ka fituar 39,5 për qind të votave, njoftoi Komisioni Zgjedhor, duke shtuar se rezultati i zgjedhjeve ende nuk është përfundimtar.

Abdullah është pajtuar më herët gjatë këtij muaji që të rinumërohen votat në provinca, ku mbështetësit e tij, kishin ndaluar procesin e numërimit për më shumë se një muaj.

Zyrtarët zgjedhorë afganë kishin tentuar që të rinumëronin votat gjatë muajit nëntor, por Abdullah kishte ndaluar këtë proces, duke thënë se ai nuk do të lejojë që vëzhguesit e tij të marrin pjesë në rinumërim.

Mijëra mbështetës të Abdullah Abdullah ishin mbledhur në Kabul gjatë muajit nëntor, për të kundërshtuar atë që ata i cilësonin vota të rreme, duke shtuar se procesi i rinumërimit të votave favorizonte Ghanin.

Nëse këto rezultate preliminare nuk ndryshojnë dhe Ghani vazhdon të jetë president edhe për një mandat, kjo gjë do t’i jepte atij autoritet për të kërkuar që të udhëheqë bisedimet e paqes me talibanët. Deri më tani ai dhe qeveria e tij nuk kanë marrë pjesë direkt në bisedimet ndërmjet përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara dhe talibanëve.

XS
SM
MD
LG