Ndërlidhjet

Aktakuzë ndaj tri grave për pjesëmarrje në grup terrorist


Ilustrim.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur tri aktakuza ndaj tri grave për veprën penale “organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist”.

Sipas njoftimit të prokurorisë, të trija gratë kanë udhëtuar gjatë periudhave të ndryshme në vitin 2014, në mënyrë që t’i bashkohen grupit militant, Shteti Islamik (IS).

E pandehura A.M, sipas Prokurorisë së Kosovës, thuhet se kishte udhëtuar drejt Sirisë në dhjetor të vitit 2014 për t’iu bashkëngjitur IS-it dhe se ajo kishte marrë pagë mujore prej 200-300 dollarë amerikanë nga ky grup ekstremist.

E akuzuara tjetër, J.Xh kishte udhëtuar për në Siri së bashku me burrin e saj nga Aeroporti i Shkupit, njofton Prokuroria Speciale e Kosovës.

E akuzuara e tretë F.D kishte arritur në Siri përmes Aeroportit të Shkupit për t’u takuar më pas me burrin e saj i cili ishte pjesë i IS-it.

Në muajin prill të këtij viti, institucionet e Kosovës, në bashkëpunim me SHBA-në, kanë kthyer në Kosovë 110 kosovarë, duke përfshirë: katër luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë që ishin duke qëndruar në kampe refugjatësh në Siri.

Pothuajse të gjitha gratë e kthyera kanë qëndruar në arrest shtëpiak për disa muaj.

Ato tashmë po përballen me aktakuza për pjesëmarrje në luftëra të huaja.

Një shkelje e tillë sipas ligjeve të Kosovës është e dënueshme deri në 15 vjet burgim.

XS
SM
MD
LG