Ndërlidhjet

Papa: Dashuria e Zotit për njeriun është e pakushtëzuar


Papa Françesku në meshën e Krishtlindjes

Papa Françesku e ka udhëhequr meshën e Krishtlindjes në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan gjatë së cilës është fokusuar në mesazhet e dashurisë së Zotit ndaj njeriut.

"Krishtlindja na kujton se Zoti vazhdon të na dojë të gjithëve, madje edhe më të këqijtë prej nesh. Për mua, për ju, për secilin nga ne, ai thotë sot: Unë ju dua dhe do t'ju dua gjithmonë, sepse ju jeni të çmuar në sytë e mi”, ka thënë Papa Françesku.

Në mesin e atyre që morën pjesë në meshë ishin edhe disa fëmijë nga disa vende të botës, përfshirë Venezuelën, Irakun dhe Ugandën.

Kjo tregon se në vëmendje të Papës, si udhëheqës i 1.3 miliardë katolikëve, janë edhe migrantët dhe viktimat e luftës.

“Zoti nuk ju do sepse ju mendoni dhe veproni në mënyrën e duhur. Ai thjeshtë ju do. Dashuria e tij është e pakushtëzuar; nuk varet nga ju. Mund të keni ide të gabuara, ju mund të keni bërë një rrëmujë të plotë për gjërat, por Zoti vazhdon të të dojë”, tha ndër të tjera Papa Françesku.

Papa Françesku - Vatikan
Papa Françesku - Vatikan

Për gjendjen e migrantëve dhe refugjatëve, Papa foli edhe në mesazhin tradicional, të mërkurën në mesditë, nga Sheshi i Shën Pjetrit.

“Është padrejtësia që i bën ata të kalojnë nëpër shkretëtira dhe dete që shëndrohen në varreza. Është padrejtësia që i detyron ata të durojnë forma të papërsëritshme të abuzimit, skllavërimin e çdo lloji dhe torturash në kampe paraburgimi", tha Françesku.

Françesku, gjithashtu bëri thirrje për paqe në Siri, Irak, Ukrainë dhe vende të tjera të përfshira nga konfliktet.

Papa denoncoi sulmet ndaj të krishterëve nga "grupet ekstremiste" në Afrikën Perëndimore.

Ai kërkoi "ngushëllim për ata që janë përndjekur për shkak të besimit të tyre fetar, veçanërisht misionarët dhe anëtarët e besimtarëve që janë rrëmbyer, si dhe për viktimat e sulmeve nga grupet ekstremiste, veçanërisht në Burkina Faso, Mali, Niger dhe Nigeri".

Papa Françesku, gjatë meshës në natën e Krishtlindjes, gjithashtu iu referua skandaleve të abuzimeve dhe atyre financiare që e kanë goditur Kishën.

"Çfarëdo që të shkojë keq në jetën tonë, çfarëdo që të mos funksionojë në Kishë, pavarësisht problemeve që ka në botë, kjo nuk do të shërbejë më si një justifikim”, tha Papa, 83 vjeçar.

Kisha në gjithë botën është goditur nga mijëra raportime për abuzime seksuale nga priftërinjtë dhe akuzat për fshehjen e tyre nga klerikët.

Javën e kaluar Papa Françesku ka bërë ndryshime në mënyrën se si Kisha Katolike i trajton rastet e abuzimeve seksuale të të miturve, duke shfuqizuar rregullin e "sekretit papnor".

Masa e re e heq obligimin e heshtjes ndaj atyre që raportojnë abuzimin ose thonë se kanë qenë viktima.

Udhëheqësit e kishës kanë kërkuar heqjen e rregullit në një samit që është mbajtur në muajin shkurt në Vatikan.

“Informacioni në rastet e abuzimit ende duhet të trajtohet me siguri, integritet dhe konfidencialitet", tha Papa.

Ai i udhëzoi zyrtarët e Vatikanit që të zbatojnë ligjet civile dhe të ndihmojnë autoritetet gjyqësore civile në hetimin e çështjeve të tilla.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

XS
SM
MD
LG