Ndërlidhjet

Presidenti irakian kundërshton emërimin e al-Edanit për kryeministër


Kryeministri irakian, Barham Salih.

Presidenti irakian, Barham Salih ka refuzuar të shpallë të nominuarin për kryeministër, që mbështetet nga parlamenti iranian, duke thënë se më parë do të japë dorëheqje sesa të emërojë dikë në një pozitë, i cili më pas do të kundërshtohej nga protestuesit.

Blloku Bina, i udhëhequr nga lideri i milicisë së përkrahur nga Irani, Hadi al-Amiri, ka nominuar, guvernatorin, Asaad al-Edani për kryeministër të ri, pas disa javëve të bllokadës së krijuar politike.

Mirëpo Salih ka thënë në një deklaratë se emërimi i Edanit nuk do të ndalte protestat, në të cilat kërkohet një kryeministër i pavarur pa lidhje partiake dhe një person që do të qetësonte krizën që ka përfshirë këtë shtet.

Ai tha këtë sepse kushtetuta e Irakut nuk i jep atij të drejtën për të refuzuar të nominuarit për kryeministër, prandaj ai ka përmendur dorëheqjen.

“Përtej dëshirës për të ndalur gjakderdhen dhe të sigurojë paqe, dhe me gjithë respektin për Asaad al-Edani, unë refuzoj ta nominoj atë”, ka thënë Salih.

“Prandaj po shpreh gatishmërinë për t’u dorëhequr nga posti i presidentit dhe pjesëtarët e parlamentit mund të zgjedhin përfaqësuesit që mendojnë se përkojnë me këto pozita”.

Dorëheqja e Salihut mund të përkeqësojë krizën, pasi deputetët fillimisht duhet të gjejnë zëvendësimin e tij dhe më pas ai person të nominojë kryeministrin.

Protestat masive në Irak kanë nisur më 1 tetor dhe protesutesit, kryesisht të rinj në moshë, janë duke kërkuar ndryshim të sistemit që ata e konsiderojnë të korruptuar.

Prej kur kanë nisur protestat, më shumë se 450 persona kanë vdekur.

Kryeministri irakian, Adel Abdul Mahdi ka dhënë dorëheqje një muaj më parë teksa protestat kanë qenë duke vazhduar.

Iraku ka një popullsi prej afro 40 milionë banorësh dhe është prodhuesi dhe eksportuesi i pestë më i madh i naftës në botë, por niveli i përgjithshëm i varfërisë qëndron në mbi 20 për qind të popullsisë.

Papunësia e të rinjve është 25 për qind - dyfishi i nivelit të përgjithshëm.

XS
SM
MD
LG