Ndërlidhjet

Bosnje: Katër vjet burgim për ish-pjesëtarin e IS-it


Ilustrim

Një shtetas mysliman i Bosnjës që ka pranuar fajësinë ndaj akuzave për terrorizëm, është dënuar nga një gjykatë, me katër vjet burgim për organizimin e një grupi terrorist dhe pjesëmarrjen në luftimet e grupit militant terrorist, Shtetin Islamik (IS) në Siri.

Ibro Çufuroviq, nga një qytet veriperëndimor i Bosnjës, ka qenë në paraburgim, që nga ekstradimi i tij nga Siria, në prill të këtij viti.

Ai më parë ishte arrestuar dhe ishte mbajtur për rreth dy vjet nga militantët kurdë në Siri.

Në vendimin e saj, gjykata përmendi rrethana lehtësuese për Çufuroviqin, i cili kishte përdorur emrin Abu Kasim Albosni, gjatë pesë viteve të tij në Siri, ku ai mori pjesë në aktivitete militante së bashku me shtetas tjerë të Bosnjës.

"I pandehuri pranoi se ishte fajtor", tha Hasija Masoviq, kryetarja e trupit gjykues.

"Në kohën kur ai mori vendimin për t'u nisur për në Siri, i pandehuri ishte vetëm 19 vjeçar", tha ajo.

Masoviq tha më tutje se "Çufuroviq kishte shprehur vazhdimisht keqardhje për veprimet e tij, dhe kishte provuar të kthehej në Bosnje, bazuar në deklaratat e mbrojtjes dhe dëshmitarëve".

Qindra qytetarë të Bosnjës dhe Hercegovinës besohet se kanë shkuar për të luftuar për IS-in në Siri dhe Irak.

Shumë shtetas të huaj, tani gjenden në kampe paraburgimi në Siri, në pritje të dorëzimit në vendet e tyre të origjinës.

Javën e kaluar, një grup prej 25 shtetas të Bosnjës, përfshirë gra dhe fëmijë, disa prej tyre jetimë, u kthyen në Bosnje.

Shtatë burra u arrestuan dhe u morën në pyetje, ndërsa gjashtë gra dhe 12 fëmijë, mes tyre gruaja dhe fëmijët e Çufuroviq, u dërguan në një qendër pritjeje për ekzaminim të mëtutjeshëm dhe ndihmë mjekësore.

Çufuroviq i kishte thënë gjykatës se ai luftoi në Siri më 2014 dhe 2015, por se ai u arrestua në vitin 2016 ndërsa po përpiqej të shpëtonte në Turqi me familjen e tij.

Gjykatat në Bosnje kanë gjykuar dhe dënuar 46 persona që janë kthyer nga Siria ose Iraku, gjatë viteve të fundit.

XS
SM
MD
LG