Ndërlidhjet

Së paku 25 militantë të vrarë nga sulmet amerikane në Siri dhe Irak


Në bazë e militantëve e sulmuar nga aeroplanët amerikanë.

Së paku 25 militantë janë vrarë dhe rreth 55 janë plagosur gjatë sulmeve ajrore të Shteteve të Bashkuara në Irak dhe Siri.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se kanë kryer “sulme precize të mbrojtjes” kundër pesë shënjestrave në Irak dhe Siri, që kontrollohen nga grupi paramilitar Kata'ib Hezbollh, që përkrahet nga shiitët iranianë.

Ky grup konsiderohet terrorist nga Shtetet e Bashkuara.

Operacioni u zhvillua edhe si përgjigje ndaj vrasjes së një punonjësi amerikan, dhe një sulmi me raketa në një bazë ushtarake irakiane.

Grupi militant reagoi duke paralajmeruar hakmarrje ndaj operacionit amerikan.

"Përgjigjja jonë do të jetë shumë e ashpër ndaj forcave amerikane në Irak", tha njëri nga udhëheqësit e grupit militant, Jamal Jaafar Ibrahimi.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper ka thënë se aeroplanët luftarakë, F-15 Strike Eagle janë aktivizuar për sulme që kanë pasur cak “komandën dhe zonat e kontrollit të Kata'ib Hezbollhut".

Ai ka thënë se “sulmet kanë qenë të suksesshme”, por nuk ka përjashtuar mundësinë e sulmeve shtesë “nëse ka nevojë”, është thënë në një deklaratë të thënë nga Esper dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo në Florida.

Pompeo tha se e ka njoftuar presidentin amerikan, Donald Trump për operacionin ushtarak.

“Ne nuk do të lejojmë që Republika Islamike e Iranit të kryejë veprime që rrezikojnë burrat dhe gratë amerikane”, ka thënë Pompeo.

Kryeministri i Irakut, Adel Abdul Mahdi, të hënën dënoi sulmet ajrore nga Shtetet e Bashkuara duke thënë se ato do të kishte pasoja.

“Kryeministri e përshkroi sulmin e SHBA-së ndaj forcave të armatosura irakiane si një sulm të papranueshëm të egër që do të kishte pasoja të rrezikshme", tha zyra e tij përmes një deklarate.

Sulmet ajrore amerikane në Irak dhe Siri u përkrahen edhe nga ana e institucioneve të Kosovës.

Përmes një komunikate, ministria e Jashtme e Kosovës, tha se përkrah sulmet e fundit mbrojtëse ndaj organizatës Kata’ib Hizbollah në Siri dhe Irak, duke i vlerësuar ato si të domosdoshme në çrrënjosjen e terrorit dhe në ndërtimin e paqes në botë.

Deklaratës së ministrisë së Jashtme të Kosovës i bëri jehonë Ambasada Amerikane në Prishtinë përmes një postimi në Facebook.

“Ne e lavdërojmë Kosovën për mbështetjen e vazhdueshme të saj në luftën kundër terrorizmit si anëtar i Koalicionit Global”, thuhet në postimin e ambasadës amerikane.

Kosova është pjesë e Aleancës Globale në luftë kundër grupit militant terrorist, i ashtuquajtur Shteti Islamik.

XS
SM
MD
LG