Ndërlidhjet

Policia shqiptare dëbon një mësues turk


Pjesëtarë të policisë shqiptare, ilustrim.
Pjesëtarë të policisë shqiptare, ilustrim.

Ky lajm u publikua fillimisht në Zërin e Amerikës.

Policia në Shqipëri bëri të ditur se kreu procedurat për të larguar nga Shqipëria shtetasin turk Harun Çelik sapo përfundoi një dënim, që mori në Tiranë.

Zëdhënësi i policisë, Gent Mullaj, tha për “Zërin e Amerikës” se “ky shtetas ishte i dënuar dhe të mërkurën doli nga burgu. Ai është kapur me dokumenta false në dalje në aeroportin e Rinasit dhe për këtë arsye u dënua. Në bazë të ligjit për të huaj, janë bërë procedurat ligjore për largim nga Shqipëria”.

Pyetjes së “Zërit të Amerikës” nëse Harun Çelik kishte kërkuar strehim e mbrojtje nga Shqipëria si një veprimtar politik i rrezikuar në atdheun e tij në Turqi zëdhënësi iu përgjigj se nuk kishte informacion tjetër.

Harun Çelik, 42-vjeçar, mësohet se ishte një mësues, pjesëtar i lëvizjes Gulen në Turqi, i cili në përpjekje për t’u larguar kërcënimeve nga atdheu i tij, u kap në aeroportin e Rinasit me dokumente false duke udhëtuar drejt Kanadasë.

Turqia e akuzon klerikun fetar, Fethullah Gulenin për organizimin e një grushtshteti në vitin 2016, gjatë të cilit një fraksion i ushtrisë u përpoq, por nuk arriti ta rrëzojë Qeverinë turke.

Dhjetëra-mijëra njerëz janë arrestuar ose pushuar nga puna që nga përpjekja për grushtshtet në Turqi, më 15 korrik të vitit 2016.

XS
SM
MD
LG