Ndërlidhjet

Zoran Millanoviq udhëheq në rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në Kroaci


Zoran Millanoviq duke festuar rezultatin e zgjedhjeve.

Zoran Millanoviq, lideri i Partisë Social-Demokrate në Kroaci, është duke udhëhequr në garën presidenciale të zhvilluar të dielën, në krahasim me rivalen e tij, presidenten kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviq, bazuar në sondazhe.

Sipas të dhënave të fundit, Millanoviq ka fituar 53 për qind të votave, për dallim nga Grabar-Kitaroviq me afër 47 për qind të votave në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Në rast se konfirmohet, ky rezultat do të përbënte shqetësim për konservatorët që tani janë në pushtet, derisa Kroacia udhëheq me presidencën e Bashkimit Evropian, dhe gjendet para zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen më vonë gjatë viti.

Millanoviq ka falënderuar mbështetësit dhe vullentarët e fushatës së tij, pasi ka shpallur fitoren:

“Faleminderit të gjithë vullnetarëve, të gjithë juve që më keni mbështetur në gjashtë muajt e fundit. Faleminderit”, ka thënë ai.

Roli i presidentit në Kroaci konsiderohet tejet ceremonial. Kreu i shtetit nuk mund t’iu vë veto ligjeve, mirëpo ka fuqi në politikën e jashtme, në mbrojtje dhe aspektin e sigurisë.

Millanoviq, i cili ka shërbyer si kryeministër në periudhën 2011-2015, ka nisur fushatën me premtimin për luftim të korrupsionit, i cili sipas tij është rritur shumë prej kur ka humbur pushtetin.

XS
SM
MD
LG