Ndërlidhjet

MPJ u sugjeron qytetarëve të Kosovës të shmangin qarkullimin nëpër Serbi


Vendkalimi kufitar në Merdare

Ministria e Jashtme e Kosovës u sugjeroi qytetarëve të Kosovës që të shmangin qarkullimin në Serbi, ndërsa u kërkoi atyre që nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë, që të shfaqin kujdes dhe maturi.

Ministria tha se Serbia është një territor, i cili nuk ofron as siguri minimale për integritetin fizik dhe juridik të qytetarëve kosovarë dhe për familjarët e tyre.

"Duke rikujtuar komunikatën e 31 majit, 2019, njoftojmë qytetarët e Republikës së Kosovës, me vendbanim në Kosovë apo jashtë vendit, që të shfaqin kujdes dhe maturi në rast se nuk mund të shmangin qarkullimin nëpër territorin e Serbisë", thuhet në komunikatën për media.

Javën e kaluar, është raportuar se policia serbe ka ndaluar shtetasin kosovar, Nezir Mehmetaj, në pikëkalimin kufitar në Merdare.

Mehmetaj po udhëtonte nga Zvicra për në Kosovë.

Ndaj tij, gjykata në Serbi ka marrë vendim për paraburgim prej 30 ditësh.

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, e ka dënuar arrestimin e Mehmetajt dhe ka bërë thirrje për lirimin e tij.

Ministria e Jashmte e Kosovës ftoi të hënën Serbinë që përfundimisht "të heqë dorë nga praktikat fashiste dhe të pranojë faktin që është pjesë e kontinentit evropian, ku liria e lëvizjes është e drejtë universale e secilit dhe respektohet pavarësisht agjendave politike".

XS
SM
MD
LG