Ndërlidhjet

Qytetarëve të Kosovës u bëhet thirrje për kujdes në udhëtimet drejt Iranit, Irakut dhe Jemenit


Ilustrim.

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës u ka bërë thirrje shtetasve të këtij vendi që të kenë kujdes në udhëtimet drejt Irakut, Iranit dhe Jemenit, meqë konsiderohet se këto vende nuk ofrojnë siguri.

Kjo ministri ka bërë njoftim si rezultat i tensioneve në rajonin e Lindjes së Mesme.

Të martën, Departamenti amerikan i Mbrojtjes ka njoftuar se Irani ka sulmuar dy baza ushtarake amerikane në Irak.

Televizioni shtetëror iranian ka thënë ky sulm është hakmarrje ndaj vendimit të Shteteve të Bashkuara për të vrarë komandantin e forcave elite iraniane, Qasem Soleimani një javë më parë.

Përveç tjerash, ministria e Jashtme e Kosovës ka thënë se aktualisht “ka aktivizuar misionet diplomatike në Arabi Saudite, Turqi, Katar dhe Emirate të Bashkuara Arabe për të ofruar mbështetje të nevojshme konsullore shtetasve të Kosovës në Irak dhe rajon”.

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Behgjet Pacolli ka thënë autoritetet janë duke bërë përpjekje për të identifikuar dhjetëra shtetas të Kosovës që punojnë në bazat amerikane Irak.

“Ministria e Punëve të Jashtme është në kontakt të ngushtë me autoritetet për të siguruar sigurinë e kosovarëve dhe në të gjitha kapacitetet tona ne do të ofrojmë ndihmën e nevojshme. Deri më tani të gjithë kosovarët janë të sigurt dhe shëndoshë e mire”, ka thënë mes tjerash ai në një postim në rrjetin social, Facebook.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se "gjithçka është në rregull" pas lajmit për sulm në bazat amerikane, derisa hollësi të tjera ka thënë se do të ofrojë në një konferencë për media që pritet të mbahet gjatë ditës.

Lexoni edhe këtë artikull: Thomas: Konflikti i hapur SHBA-Iran nuk ka gjasa

XS
SM
MD
LG