Ndërlidhjet

Thaçi në darkë pune me ambasadorin Grenell


Ambasadori amerikan në Berlin, Richard Grenell.
Ambasadori amerikan në Berlin, Richard Grenell.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të zhvillojë të mërkurën në mbrëmje një darkë pune me të Dërguarin e Posaçëm të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, ambasadorin Richard Grenell.

Takimi është konfirmuar përmes një njoftimi të zyrës së presidentit Thaçi.

Vizita e ambasadorit amerikan, Richard Grenell në Kosovë ishte konfirmuar për Radion Evropa e Lirë edhe nga zyrtarët e kësaj ambasade.

Pas Kosovës, Grenell pritet të qëndrojë në Beograd.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar se do të takohet me Grenellin në Beograd. Vuçiq ka thënë për televizionin publik serb nga Forumi Ekonomik Botëror, që po mbahet në Davos të Zvicrës, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të gatshme që t'i dëgjojnë kërkesat dhe problemet e Beogradit lidhur me Kosovën.

Grenell viziton Kosovën dhe Serbinë disa ditë pasi ka ndërmjetësuar arritjen e marrëveshjes ndërmjet dy palëve me kompaninë gjermane “Lufthansa“ për vendosjen e linjës ajrore Prishtinë – Beograd.

XS
SM
MD
LG