Ndërlidhjet

Koronavirusi merr hov në Kinë, mbi 100 të vdekur


Numri i të vdekurve nga koronavirusi i ri në Kinë arriti në 106, ndërkohë që numri i rasteve të infektuara pothuajse u dyfishua brenda ditës.

Autoritetet kineze thanë se numri total i njerëzve të prekur me këtë virus të hënën ishte 4,515, ndërsa një ditë më herët 2,835.

“Në mesnatën e 27 janarit, Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë ka pranuar informacione për 4,515 raste të konfirmuara nga 30 provinca, rajone autonome dhe qytete, përfshirë 976 raste të rënda dhe 106 raste të vdekjeve”, tha Mi Feng, zëdhënës i Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë në Kinë.

Kufizimet në udhëtime u ashpërsuan dhe veshja e maskave në publik tani është e detyrueshme në disa qytete.

Qyteti Vuhan, me 11 milionë banorë, është epiqendra e shpërthimit, por koronavirusi është shpërndarë në gjithë Kinën dhe në së paku 16 shtete të tjera të botës.

Vuhani, si dhe krahina më e gjerë Hubei, janë izoluar pothuajse tërësisht, me kufizime të rrepta të transportit brenda dhe jashtë zonës.

Udhëheqësja e Hong Kongut, Carrie Lam, tha të martën se trenat e shpejtë nga Hong Kongu për në pjesën tjetër të Kinës do të pezullohen nga e enjtja.

Fluturimet, autobusët dhe shërbimet e anijeve do të zvogëlohen po ashtu, në përpjekje për të penguar përhapjen e virusit në Hong Kong, që është një qendër financiare globale.

Koronavirusi, që është një familje e gjerë e viruseve, shkakton infeksion të rëndë akut të frymëmarrjes dhe tash për tash nuk ka kurë ose vaksinë specifike për të.

Të hënën, Gjermania raportoi rastin e parë me këtë lloj koronavirusi.

Raste të tilla janë raportuar edhe në Francë, Shtetet e Bashkuara, Australi, Kanada, Kore të Jugut, Tajvan, Tajlandë, Malajzi e të tjera.

Zyrtarët kinezë besojnë se koronavirusi i ri e ka origjinën në një treg të ushqimeve të detit në Vuhan.

Autoritetet kineze thonë se koronavirusi është në gjendje të përhapet gjatë periudhës së tij të inkubacionit dhe para se të shfaqet ndonjë simptomë.

Një gjë e tillë do ta veçonte atë nga viruset e tjera, si Sars dhe Ebola, dhe do ta vështirësonte kontrollin.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), periudha e inkubacionit mund të shkojë nga dy deri në 10 ditë.

Megjithatë, sipas OBSH-së, është e paqartë nëse koronavirusi është ngjitës para se të shfaqen simptomat.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG