Ndërlidhjet

Kurti kërkon caktimin e seancës plenare për votimin e qeverisë


Kuvendi i Kosovës.
Kuvendi i Kosovës.

Mandatari për formimin e Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar Kryesisë së Kuvendit, kërkesën për caktimin e seancës plenare "për votimin e përbërjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës".

Sipas një njoftimi të Kuvendit të Kosovës, kryesia do të mblidhet më 31 janar, për të shqyrtuar kërkesën e Kurtit.

Pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës më 26 dhjetor, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, më 20 janar, ka mandatuar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për postin e kryeministrit.

Sipas Kushtetutës, prej momentit që presidenti mandaton kandidatin për kryeministër, nis edhe rrjedhja e afatit kushtetues prej 15 ditësh për krijimin e ekzekutivit.

Për disa javë me radhë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike kanë zhvilluar negociata, mirëpo ato nuk kanë sjellë si rezultat ndonjë marrëveshje koalicioni.

Aktualisht, Kosova qeveriset nga qeveria në detyrë, e udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, por e cila ka kompetenca të kufizuara.

Përderisa Vetëvendosjes, si parti fituese, LDK-ja nuk ia ka kontestuar pozitën e kryeministrit, kjo e fundit ka kërkuar që si baraspeshë në ndarjen e pushtetit, ta ketë pozitën e kryetarit të kuvendit, të cilën e ka marrë nën drejtim Vetëvendosje që nga data e konstituimit të Kuvendit, më 26 dhjetor.

Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika në Kosovë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se të dy partitë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë ngecur në pika të ngurta të cilat po shfaqin më shumë mungesë mosbesimi te njëra- tjetra sesa realisht në ndarjen e posteve. Ai konsideron se situata aktuale mund të çojë në dy drejtime apo dy opsione.

"Versioni i parë është që mandatari i dytë të provohet nga dikush tjetër, pra që të formohet një qeveri, një shumicë tjetër parlamentare, të cilën sigurisht që presidenti i shtetit do ta kërkojë, nëse Lëvizja Vetëvendosje dështon ta krijojë shumicën parlamentare. Dhe versioni tjetër është me shumë gjasë një qeveri e përkohshme teknike deri në vjeshtë, që të krijohen kushtet për funksionim normal të institucioneve dhe pastaj zgjedhjet e reja në vjeshtë", ka thënë Rashiti.

XS
SM
MD
LG