Ndërlidhjet

Polonia blen aeroplanë amerikanë në vlerë të 4.6 miliardë dollarëve


Aeroplani luftarak i llojit F-35.

Polonia ka nënshkruar një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara në vlerë të 4.6 miliardë dollarëve për blerjen e 32 aeroplanëve të avancuar luftarakë F-35, ashtu që të rrisë mbrojtjen pas shtimit të aktiviteteve ushtarake ruse.

Presidenti polak, Andrzej Duda e ka cilësuar të premten “ditë shumë të rëndësishme për forcat ajrore polake dhe për sigurinë e Polonisë e të Evropës”.

Ministri polak i Mbrojtjes, Mariusz Blaszczak, e ka nënshkruar marrëveshjen dhe i ka dorëzuar dokumentin ambasadores amerikane në Poloni, Georgette Mosbacher.

Duda ka thënë se kjo është një prej marrëveshjeve më të mëdha të nënshkruara në historinë e forcave të armatosura të Polonisë dhe një shenjë të lidhjeve të fuqishme me SHBA-në.

Departamenti amerikan i Shtetit ka përshëndetuar përkushtimin e Polonisë për modernizim të ushtrisë.

Polonia pritet të marrë dërgesën e aeroplanëve në periudhën 2024-2030.

Ky vend do të jetë shteti i 10-të i NATO-s që do të ketë këtë lloj të aeroplanit.

Forcat amerikane, izraelite dhe britanike tashmë kanë shfrytëzuar këta aeroplanë për lufime.

Aeroplanët amerikanë do t’i zëvëndësojnë pajisjet luftarake të periudhës sovjetike, MiG-29, të cilët Polonia i shfrytëzon ende.

XS
SM
MD
LG