Ndërlidhjet

Pompeo kërkon nga Kazakistani t’i bëjë presion Kinës për situatën në Xinjiang


Sekretari Pompeo gjatë vizitës në Kazakistan.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo i ka bërë thirrje Kazakistanit që t’i bashkohet Uashingtonit që të kërkojë nga Kina të respektojë të drejtat e pakicave myslimane në rajonin Xinjiang.

Grupet për të drejtat e njeriut thonë se autoritetet kineze ushtrojnë mbikëqyrje të fortë, ndalime arbitrare dhe indoktrinim të detyrueshëm ndaj grupeve etnike myslimane ujgurëve dhe kazakëve që jetojnë në Xinjiang.

Kina është partnerja kryesore për vendet e Azisë Qendrore dhe mediat e kontrolluara nga shteti në Kazakistan, në përgjithësi kanë shmangur raportimet për qendrat e internimit në Xinjiang.

Pompeo i bëri këto komente gjatë vizitës në Nur-Sultan, kryeqytetin e Kazakistanit, teksa mbajti takim me ministrin e Jashtëm kazak, Mukhtar Tileuberdi.

Pompeo tha se me ministrin kazak biseduam për “gjendjen e më shumë se një milion myslimanëve ujgurë dhe kazakëve etnikë, që Partia Komuniste kineze ka ndaluar në Xinjiang, që gjendet përtej kufirit me Kazakistanin”.

“Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje të gjitha vendeve që të bashkohen me ne duke kërkuar që kjo shtypje të marrë fund menjëherë. Ne kërkojmë që ata të sigurojnë strehim të sigurt dhe azil për ata që kërkojnë të ikin nga Kina. Mbroni dinjitetin njerëzor, thjesht bëni atë që është e drejtë”, tha sekretari Pompeo.

Tleuberdi, qeveria e së cilit deri më tani nuk ka kritikuar Kinën për situatën në Xinjiang, nuk komentoi lidhur me këtë çështje, por foli për bashkëpunimin ekonomik dhe atë të fushës së sigurisë.

Në gusht të vitit 2018, Kombet e Bashkuara thanë se një milion ujgurë dhe pjesëtarë të grupeve të tjera etnike në rajon po mbahen “në qendra kundër ekstremizmit”. Sipas OKB-së, miliona të tjerë janë vendosur në të ashtuquajtura “kampe të riedukimit”.

Kina mohon se qendra të tilla janë kampe.

Para se të arrinte në Kazakistan, sekretari Pompeo ka qëndruar në Londër, Ukrainë dhe Bjellorusi. Pas Kazakistanit, ai pritet të vizitojë Uzbekistanin.

XS
SM
MD
LG