Ndërlidhjet

Incidenti në Jerusalem po hetohet si sulm i mundshëm terrorist


Foto arkiv

Katërmbëdhjetë njerëz janë plagosur - njëri në gjendje kritike - në Jerusalem, kur një veturë u përlas në një stacioni të autobusëve.

Në atë zonë gjenden disa lokale dhe restorane.

Incidenti është duke u hetuar si një "sulm i mundshëm terrorist", thanë zyrtarët.

Zëdhënësi i policisë izraelite, Micky Rosenfeld tha se "policia iu përgjigj thirrjes kur një automjet shkeli një numër njerëzish, dhe u largua nga vendi i ngjarjes".

"Njësitë e policisë dhe mjekët mbërritën në vendngjarje, dhe janë në kërkim të automjetit. Incidenti po hetohet si një sulm terrorist," tha Rosenfeld.

Zyrtarët thanë se një 20-vjeçar është në gjendje kritike.

Ndërkohë, një 19-vjeçar palestinez u vra më 6 shkurt gjatë përleshjeve me ushtarët izraelitë në Bregun Perëndimor.

Ushtarët kishin hyrë në qytetin e Jenin për të shkatërruar shtëpinë e një sulmuesi të dyshuar palestinez, thanë burimet palestineze.

Televizioni izraelit raportoi se gjatë operacionit kishte rezistencë dhe të shtëna ndaj trupave izraelite.

Më 5 shkurt, një 17-vjeçar palestinez u qëllua për vdekje, gjatë përleshjeve me ushtarët izraelitë në qytetin Hebron të Bregut Perëndimor, duke u bërë protestuesi i parë i vrarë, që kur SHBA-ja shpalli planin e paqes për Lindjen e Mesme.

Incidentet vijnë në një kohë të tensionit të shtuar midis Izraelit dhe palestinezëve, pas shpalljes së planit të paqes nga ana e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Izraeli e vlerësoi dhe mirëpriti planin, ndërsa palestinezët e dënuan atë si shumë pro-izraelit.

XS
SM
MD
LG