Ndërlidhjet

Islanda do të menaxhojë hapësirën e ulët ajrore të Kosovës


Komandanti i KFOR-it, Michele Risi.

Islanda e ka fituar të drejtën e menaxhimit të hapësirës ajrore të ulët të Kosovës.

Në emër të Kosovës, marrëveshjen kornizë me Islandën e ka nënshkruar komandanti i misionit paqëruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjenerali, Michele Risi.

“Përfundimi i kësaj marrëveshje është një hap i rëndësishëm në procesin e krijimit të të gjitha kushteve të nevojshme për hapjen e rrugëve të reja në hapësirën ajrore të ulët të Kosovës, në mënyrë të sigurt dhe të rregullt. Marrëveshja gjithashtu do të kontribuojë në përpjekjet e vazhdueshme për të promovuar normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, brenda kornizës së dialogut të sponsorizuar nga BE-ja”, thuhet në një komunikatë të KFOR-it.

Në përputhje me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshjen Teknike Ushtarake të vitit 1999, por edhe me ligjet e tanishme në Kosovë, komandanti i misionit të KFOR-it, përkatësisht NATO-s, është përgjegjës për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës.

Linja ajrore Prishtinë-Beograd

Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës ka nënshkruar më 21 janar, 2020 në Berlin një marrëveshje me aviokompaninë gjermane Lutfhansa, për të hapur linjën ajrore Prishtinë–Beograd.

Të njëjtën marrëveshje me kompaninë gjermane e ka nënshkruar edhe delegacioni i Serbisë, nga Ministria e Ekonomisë.

Arritja e marrëveshjes për linjën ajrore, është mundësuar përmes ndërmjetësimit të ambasadorit amerikan në Berlin, njëherësh i dërguar presidencial për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka quajtur fitore marrëveshjen për vendosjen e fluturimeve të drejtpërdrejta mes Kosovës dhe Serbisë.

Linja e drejtpërdrejtë ajrore midis Prishtinës dhe Beogradit është ndërprerë më 1999 pas hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë.

XS
SM
MD
LG