Ndërlidhjet

Presion i madh ndaj opozitës në Azerbajxhan


Protesta në Azerbajxhan - 9 shkurt 2020
Protesta në Azerbajxhan - 9 shkurt 2020

Policia në Azerbajxhan arrestoi të dielën tre udhëheqës të opozitës dhe qindra aktivistë, përpara se të niste një protestë në Baku kundër rezultateve të zgjedhjeve parlamentare, që u mbajtën më 9 shkurt.

Shumica e të arrestuarve u liruan të dielën vonë.

Sipas Komisionit Qendror të Zgedhjeve, partia qeverisëse “Azerbajxhani i ri” fitoi 72 nga 125 ulëset në legjislaturë, ndërsa gati të gjitha të tjerat i morën parti të vogla ose deputetë të pavarur, por që shihen si besnikë të presidentit Ilham Aliyev.

Përpara se të niste protesta e paautorizuar, policia arrestoi udhëheqësin e partisë opozitare REAL, Ilgar Mamedly, udhëheqësin e partisë Musavat, Arif Hajili, dhe kreun e lëvizjes opozitare D18, Ruslan Izzatly.

Ata më vonë u lanë të lirë jashtë Bakusë, ndërsa Izzatly tha se do ta padisë Ministrinë e Brendshme.

Policia e rrethoi ndërtesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku ishte planifikuar protesta, dhe këdo që mbërrinte atje për të marrë pjesë në miting, e fuste në autobus.

Forcat e sigurisë në Baku
Forcat e sigurisë në Baku

Pas lirimit të tij, Hajili tha se disa prej të ndaluarve "u dërguan me furgonë policie në vende të largëta, të shkreta, rreth 200-300 kilometra larg Bakusë dhe u braktisën atje".

Mehman Huseynov, i cili garoi në zgjedhjet komunale, ishte në mesin e atyre që u larguan nga kryeqyteti. Ai postoi në Facebook një fotografi të vetes, ulur në anën e një rruge në një zonë të largët.

Më 11 shkurt, policia në Baku arrestoi mbi 20 kandidatë të opozitës dhe të pavarur, që protestuan kundër rezultateve të zgjedhjeve para ndërtesës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Në raportin paraprak, vëzhguesit e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe të Këshillit të Evropës thanë se ka pasur shkelje të mëdha gjatë numërimit të votave, raste të mbushjes së kutive të votimit, votime të dyfishta, si dhe presion ndaj votuesve, kandidatëve dhe vëzhguesve.

Aliyev, 58 vjeç, qeveris Azerbajxhanin që 17 vjet. Ai e ka marrë detyrën pak para vdekjes së babait të tij, Heydar Aliyev, i cili ka shërbyer dhjetë vjet si president i Azerbajxhanit.

Aliyev i ka thirrur zgjedhjet e parakohshme në dhjetor, për shkak të pakënaqësive në rritje të publikut me rritjen e ngadalshme ekonomike.

Qëkur Azerbajxhani - vend në Kaukazin Jugor - ka shpallur pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik, më 1991, vëzhguesit ndërkombëtarë i kanë kritikuar zgjedhjet atje për mungesë të standardeve demokratike.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG