Ndërlidhjet

Dodik nga parlamenti i Republikës Serbe: Lamtumirë Bosnje


Mbledhja e Kuvendit të Republikës Serbe të Bosnjës.

Anëtarët e Kuvendit të Republikës Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë kanë mbajtur një seancë të jashtëzakonshme në Banja Llukë në lidhje me, siç është thënë, "vendimin anti-Dejton të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje dhe Hercegovinës".

Gjatë seancës së jashtëzakonshme të parlamentit, kreu i Unionit të Social Demokratëve të Pavarur (SNSD), Millorad Dodik, e filloi fjalimin me fjalinë "Mirupafshim Bosnje dhe Hercegovinë, mirë se vjen dalje e Republikës Serbe", duke aluduar në daljen e mundshme të Republikës Serbe nga Bosnje dhe Hercegovina.

Dodik deklaroi se Gjykata Kushtetuese transferoi pronën në Bosnje dhe Hercegovinë, së cilës nuk i përket, dhe se disa, përfshirë edhe atë, ishin naivë kur menduan se boshnjakët do të ndalonin të shfuqizonin simbolet e Republikës Serbe.

"Ajo që nuk shkon mirë me Dejtonin duhet të jetë në harmoni me Dejtonin. Falënderoj të gjithë kolegët e mi dhe përfaqësuesit e partive politike për punën e tyre të përkushtuar këto ditë për ardhjen në konkluzione të përbashkëta. Unë jam i inkurajuar nga ky fakt", tha Dodik.

Në konkluzionet të cilat u miratuan nga Kuvendi, kundërshtohet një vendim i Gjykatës Kushtetuese të Bosnje dhe Hercegovinës, lidhur me tokën bujqësore.

Në pikat e konkluzioneve, thuhet se Gjykata Kushtetuese e Bosnjës e ka shkelur Marrëveshjen e Dejtonit dhe Kushtetutën, duke ndryshuar kështu sistemin politik në kundërshtim me Marrëveshjen për Paqen në Bosnje, e cila është një traktat me karakter ndërkombëtar juridik.

“Asambleja Kombëtare e Republikës Serbe i detyron të gjitha institucionet e Republikës Serbe të mos pranojnë ose zbatojnë asnjë vendim të ardhshëm anti-Dejton dhe jodemokratik të Përfaqësuesit të Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese të Bosnje Hercegovinës”, thuhet në konkluzione.

Njëherësh ky organ i entitetit serb të Bosnjës, detyron përfaqësuesit e Republikës Serbe në institucionet e Bosnjes, të pezullojnë miratimin e çfarëdo vendimi nga autoritetet e Bosnje dhe Hercegovinës, deri në miratimin e Ligjit për përfundimin e mandatit të gjyqtarëve të huaj dhe zgjedhjen e gjyqtarëve vendas në Gjykatën Kushtetuese.

Anëtari boshnjak i presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës, Shefik Xhaferoviq, tha se konkluzionet mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për tokën bujqësore nuk do të kenë efekt juridik.

Xhaferoviq beson se Republika Serbe dhe zyrtarët e saj e kanë interesin për t'iu përmbajtur rreptësisht Dejtonit dhe të mos bëjnë asgjë që mund të rrezikojë marrëveshjen e paqes.

Si filloi kriza e re politike në Bosnje?

Përfaqësuesit e Republikës Serbe në institucionet e Bosnje dhe Hercegovinës, më 12 shkurt, vendosën të pezullojnë punën e tyre në të gjitha organet nën juridiksionin e autoriteteve të Bosnje dhe Hercegovinës, në pritje të miratimit të një ligji të ri për Gjykatën Kushtetuese të Bosnje dhe Hercegovinës.

Përfaqësuesit e Republikës Serbe të Bosnjës kërkojnë që në Gjykatën Kushtetuese të mos ketë gjyqtarë të huaj.

Gjykata Kushtetuese përbëhet nga nëntë anëtarë, tre prej të cilëve zgjidhen nga Kryetari i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut pas konsultimit me presidencën e Bosnje dhe Hercegovinës.

Këta tre gjyqtarë nuk mund të jenë shtetas të Bosnjës ose të ndonjë shteti fqinj.

Arsyeja e këtij vendimi, për të pezulluar punën dhe për të thirrur një seancë të veçantë të Kuvendit të Republikës Serbe është vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës, e cila i shpalli antikushtetuese pjesët e Ligjit për tokën bujqësore të Republikës Serbe.

Me këtë vendim, toka bujqësore në Republikën Serbe konsiderohet pronë e Bosnje dhe Hercegovinës, dhe jo e këtij entiteti.

Gjykata Kushtetuese e shpalli vendimin e saj pas apelit të shtatë delegatëve - boshnjakë dhe kroatë - të parlamentit qendror të Bosnje dhe Hercegovinës.

Çfarë thonë përfaqësuesit ndërkombëtarë?

Lidhur me krizën më të re politike, ambasadori i BE-së në Bosnje dhe Herzegovinë, Johann Sattlera, bëri thirrje që politikanët të përmbahen nga aktivitetet përçarëse.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, në lidhje me vendimin e përfaqësuesve të Republikës Serbe për të pezulluar punën brenda organeve nën juridiksionin e autoriteteve të Bosnjës, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Sarajevë tha se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe duhet të respektohen nga të gjitha palët.

Përfaqësuesi i Lartë për Bosnjë dhe Hercegovinën, Valentin Inzko, tha se "çdo veprim që do të paralizonte institucionet e Bosnje dhe Hercegovinës dhe do të parandalonte punën e tyre do të ishte një hap i madh në drejtim të gabuar".

Përgatiti: Kestrin Kumnova

XS
SM
MD
LG