Ndërlidhjet

Izraeli thotë se ka goditur grupin Xhihadi Islamik në Gazë dhe Siri


Rripi i Gazës më 23 shkurt.

Ushtria izraelite thotë se ka nisur sulme ajrore kundër një grupi militant palestinez në Gazë dhe Siri, si përgjigje ndaj sulmeve me raketa.

Ushtria e Izraelit tha se ka goditur objektivat e Xhihadit Islamik në Damaskun jugor dhe Rripin e Gazës.

Nuk është e zakonshme që ushtria izraelite të njoftojë zyrtarisht për sulme në Siri, por tha se operacioni kishte në shënjestër "një qendër të veprimtarisë së Xhihadit Islamik".

Siria tha se mbrojtja e saj ajrore rrëzoi pjesën më të madhe të raketave izraelite.

Katër persona u plagosën në Rripin e Gazës, njoftuan zyrtarët shëndetësorë, por nuk ka raporte të menjëhershme të viktimave nga sulmet izraelite.

Sulmet u ndërmorën, pasi Izraeli jugor u godit prej të paktën 20 raketash të shkrepura nga Rripi i Gazës.

Nuk ka raportime për viktima.

Armiqësitë filluan të dielën në mëngjes, kur Izraeli tha se vrau një anëtar të Xhihadit Islamik, përgjatë gardhit të tij kufitar me Rripin e Gazës.

Ushtria e Izraelit tha se burri ishte duke u përpjekur të vendoste një pajisje shpërthyese.

Disa palestinezë bënë thirrje për hakmarrje dhe disa orë më vonë, raketat u hodhën nga Rripi i Gazës.

Grupi militant Xhihadi Islamik mori përgjegjësinë për sulmin, duke thënë se është përgjigje për vrasjen e një pjesëtari të grupit, përgjatë kufirit me Gazën.

Ky grup është i mbështetur nga Irani dhe përbën njërin ndër grupet militante më të fuqishme në Rripin e Gazës.

XS
SM
MD
LG