Ndërlidhjet

Sondazhet sugjerojnë se lëvizja OLaNO ka fituar zgjedhjet në Sllovaki


Lideri i OLaNO, Igor Matoviq.
Lideri i OLaNO, Igor Matoviq.

Lëvizja anti-korrupsion Njerëzit e Zakonshëm (OLaNO), sipas sondazheve, ka dalë e para në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 29 shkurt në Sllovaki.

Zgjedhjet parlamentare të 29 shkurtit ishin zgjedhjet e para të mbajtura që prej se u vra gazetari Jan Kuciak, vrasja e së cilit shkaktoi protesta masive kundër korrupsionit.

Lideri i partisë OLaNO, Igor Matoviq duket se ka arritur që të shndërrojë zemërimin e publikut për vrasjen e Kuciak dhe të fejuarës së tij, Martina Kunirova, në fitore të madhe në zgjedhje.

“Ne do të përpiqemi të krijojmë qeverinë më të mirë që ka pasur ndonjëherë Sllovakia, me ndihmën e liderëve të tjerë të opozitës demokratike”, tha Matoviq për gazetarët, pasi u shfaqën rezultat e sondazheve.

“Ishte vdekja e Jan Kuciak dhe Martina Kunirova që zgjoi Sllovakinë”, shtoi ai.

Sipas agjencisë së sondazheve, Focus, OLaNO ka fituar 25,8 për qind të votave, ndërkaq partia e kryeministrit aktual, Peter Pellegrini, Partia Socialdemokrate, ka fituar 14,9 për qind të votave.

Ndërkaq, sondazhi i kryer nga Median.sk, ka thënë se OLaNO ka fituar mbi 25 për qind të votave, ndërkaq, partia e Pellegrini 13,9 për qind.

Analistët thonë se nëse këto sondazhe janë të sakta dhe OLaNo fiton më së shumti vota, kjo parti do të krijojë koalicion me disa parti opozitare.

Ata thanë se Matoviq, 46-vjeçar, do të bëhet kryeministri i ardhshëm i vendit, nëse ai arrin të krijojë koalicionin qeverisës.

Vrasja e gazetarit Kuciak dhe të fejuarës së tij, shkaktuan protesta të mëdha që çuan në dorëheqjen e kryeministrit Robert Fico.

XS
SM
MD
LG