Ndërlidhjet

Pete Buttigieg heq dorë nga gara presidenciale në SHBA


Pete Buttigieg.

Pete Buttigieg, ish-kryetar i një qyteti të vogël të Indianas i ka dhënë fund garës për të fituar kandidimin e demokratëve për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në nëntor të këtij viti në Shtetet e Bashkuara.

Buttigieg, i cili pati nisur fuqishëm fushatën e tij, duke fituar në rrethin e parë zgjedhor në Ajoa, ka njoftuar për tërheqje nga gara më 1 mars.

“Në këtë pikë të garës, mënyra më e mirë për të besuar në qëllim edhe ideale, është që të largohem dhe të ndihmoj në bashkimin e partisë dhe shtetit tonë”, u ka thënë Buttigieg mbështetësve të tij në Indiana.

“Prandaj, sonte, po e marr vendimin e vështirë për ta pezulluar fushatën time për president”.

Buttigieg, 38-vjeçar është renditur i katërti në rrethin e parë zgjedhur të mbajtur në Karolinën Jugore me vetëm 8.2 për qind.

Ai është thënë të ketë pasur vështirë të krijojë koalicione më të gjera, pasi ka arritur të ketë pak mbështetje në mesin e votuesve me ngjyrë, një nga pikat kryesore të mbështetjes që gëzojnë demokratët.

Largimi tij ka ardhur në më pak se 48 orë para se 15 shtete dhe një territor të zhvillojnë një tjetër proces votimi më 3 mars.

Sondazhet tregojnë që largimi i tij nga gara mund t’iu ndihmojë kandidatëve tjerë që garojnë për president, Joe Biden dhe Mike Bloomberg.

Buttigieg ka paralajmëruar që nëse kandidati Bernie Sanders fiton nominimin e demokratëve, i bie që presidenti aktual amerikan, Donald Trump do të qëndrojë edhe katër vjet në pushtet.

Megjithatë, ai nuk ka treguar se kë mbështet.

Numri i kandidatëve demokratë që garojnë për nominim për president tani ka rënë në gjashtë.

Në mesin e tyre janë, Joe Biden, Bernie Sanders, Mike Bloomberg, Elizabeth Warren, Amy Klobuchar, dhe Tulsi Gabbard.

XS
SM
MD
LG