Ndërlidhjet

Schinas: Askush nuk mund ta shantazhojë Evropën


Komisionari për Migrim i Bashkimit Evropian, Margaritis Schinas.

Komisionari për Migrim i Bashkimit Evropian, Margaritis Schinas, e paralajmëroi Turqinë se BE-ja "nuk do të shantazhohet e as frikësohet" nga kërcënimet e saj.

Shchinas i bëri komentet pasi presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha se nuk mund të zbatojë më një marrëveshje të vitit 2016 me BE-në, për të parandaluar hyrjen e migrantëve në Evropë.

Policia në Greqi ka përdorur gaz lotsjellës për të penguar hyrjen e mijëra migrantëve në këtë vend, ndërsa i ka kërkuar ndihmë urgjente edhe Agjencisë Kufitare të BE-së - Frontex.

"Sa herë që BE-ja testohet, ashtu si tani, uniteti duhet të mbizotërojë", tha Schinas në Berlin, duke nënvizuar se "askush nuk mund ta shantazhojë ose frikësojë" bllokun.

Më herët, Erdogan tha se Turqia nuk mund të përballojë më një valë të re të refugjatëve sirianë.

Gati një milion sirianë kanë ikur në kufirin turk nga provinca Idlib, për shkak të luftimeve të mëdha atje midis rebelëve të mbështetur nga turqit dhe forcave të Qeverisë siriane, të mbështetura nga Rusia.

Turqia tashmë strehon 3.7 milionë refugjatë sirianë, si dhe migrantë nga vendet e tjera.

Erdogan tha se BE-ja nuk ka dhënë asnjë ndihmë për të riatdhesuar refugjatët sirianë në "zona të sigurta" brenda Sirisë.

Kur Turqia i ka hapur dyert e saj për migrantët javën e kaluar, "qindra mijëra kanë kaluar (në Evropë); së shpejti do të kalojnë miliona", tha Erdogan.

Udhëheqësi turk nuk dha prova për shifrat e tij, ndërsa Greqia tha se rreth 1,000 migrantë kanë arritur në ishujt e saj lindorë nga Turqia, që nga mëngjesi i së dielës.

Lexoni edhe këtë:

XS
SM
MD
LG