Ndërlidhjet

KMDLNJ kërkon lirimin e disa të burgosurve si masë kundër Covid19


Ilustrim.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të bëjnë lirimin e një numri të të burgosurve në burgjet e Kosovës, si masë kundër përhapjes së sëmundjes Covid19, që shkaktohet nga virusi Sars-Cov-2.

Përmes një reagimi publik, ky këshill thekson se “institucionet përgjegjëse me një vendim të jashtëzakonshëm mund të lirojnë një numër të të dënuarve që kanë plotësuar të gjitha kushtet për lirim të parakohshëm”.

KMDLNJ po ashtu ka ngritur shqetësim sa i përket gjendjes shëndetësore të të dënuarve dhe të atyre që janë në paraburgim, duke parë të nevojshme që të ketë kontrolla më të shtuara mjekësore dhe të bëhet dezifenktimi i hapësirave ku mbahen të ndaluarit dhe ku punon stafi.

Për shkak të përhapjes së virusit Sars-Cov-2, janë ndërprerë vizitat familjare në burgjet e Kosovës deri më 27 mars 2020.

Në Kosovë janë konfirmuar 15 persona te infektuar me koronavirusin e ri.

Sipas Universitetit amerikan Johns Hopkins, më shumë se 87,000 njerëz janë infektuar jashtë Kinës, ku autoritetet shëndetësore thonë se ka 80.860 raste.

Vdekjet globale gjithashtu kanë tejkaluar numrin e vdekjeve në Kinë, për herë të parë, pasi numri i përgjithshëm arriti në 6,513.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se Evropa tani është epiqendra e virusit.

Koronavirusi Sars-Cov-2 u paraqit për herë të parë në Kinë, në dhjetor të vitit të kaluar.

XS
SM
MD
LG