Ndërlidhjet

Mbyllet kufiri SHBA-Kanada për shkak të koronavirusit


Presidenti amerikan, Donald Trump dhe kryeministri kanadez, Justin Trudeau.
Presidenti amerikan, Donald Trump dhe kryeministri kanadez, Justin Trudeau.

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe kryeministri kanadez, Justin Trudeau janë pajtuar për mbyllje të kufirit mes Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë për të gjitha udhëtimet jo të domosdoshme, me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit të ri.

“Pas arritjes së pajtueshmërisë ne do të mbyllim përkohësisht kufirin tonë verior me Kanadanë”, ka thënë Trump përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.

Ai ka thënë se tregtia nuk do të preket nga ky vendim.

Të dyja shtetet tashmë kanë nisur ndalesa në udhëtim, mirëpo deri tani kanë bërë përjashtime për njëra-tjetrën.

Kanadaja varet nga Shtetet e Bashkuara në afërsisht 75 për qind të eksporteve të saj.

“Pothuajse 200,000 njerëz kalojnë atë kufi secilën ditë, prandaj ai kufi dhe ai trafik që zhvillohet aty është vijë e jetës për kanadezët dhe amerikanët në të dyja anët e kufirit”, ka thënë zëvendëskryeministrja e Trudeaus, Chrystia Freeland.

Sipas të dhënave, mallrat dhe shërbimet që kalojnë kufirin SHBA-Kanada arrijnë vlerën e 2 miliardë dollarëve brenda një dite.

Koronavirusi i ri, që është shpërndarë në të dyja vendet, ka prekur të paktën 6,496 persona në të gjitha 50 shtetet amerikane, derisa numri i të vdekurve ka arritur në 114.

Kanadaja, e cila ka një të nëntën e popullsisë së SHBA-së, ka raportuar për 598 persona të infektuar dhe tetë persona të vdekur si pasojë e sëmundjes COVID-19 që shkakton koronavirusi.

Për lajmet e reja rreth koronavirusit përcilleni edhe blogun e drejtpërdrejtë të Radios Evropa e Lirë.

XS
SM
MD
LG