Ndërlidhjet

Policia e Kosovës: Nuk kemi informacion për ndalimin e lëvizjes në veri


Ilustrim.

Policia e Kosovës nuk ka njohuri për kurrfarë vendimi për ndalimin e lëvizjes në veri të Kosovës, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, zëvendësdrejtori i policisë rajonale të Kosovës, Besim Hoti, lidhur me thirrjen që u është bërë qytetarëve në Mitrovicë të Veriut nga i ashtuquajturi “Organi i përkohshëm i Komunës së Mitrovicës”.

Ky organ funksionon në kuadër të sistemit të Serbisë në Mitrovicën e Veriut, një prej katër komunave veriore me shumicë serbe në Kosovë.

Nga autoritetet e Kosovës ky organ konsiderohet si institucion paralel.

Ky trup ka nxjerr një komunikatë përmes të cilës i porosit të gjithë qytetarët për “zbatim të përpiktë të ndalimit të lëvizjes” në periudhën prej orës 20:00 e deri në orën 5:00 të mëngjesit.

Në përputhje me vendimin e 17 marsit të Qeverisë së Serbisë, pensionistët dhe personat më të vjetër se 65 vjet, janë paralajmëruar që të mbajnë diciplinë lidhur me ndalimin e tërësishëm të daljes nga shtëpitë, thuhet në komunkatë.

Mirëpo këto masa dallojnë nga ato që marrë Qeveria e Kosovës, me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit të ri.

Autoritetet e Kosovës kanë urdhëruar ndërprerjen e menjëhershme të trafikut ndërurban dhe atij ndërkombëtar, mbylljen e kufijve tokësorë për pasagjerët që hyjnë në Kosovë, përveç për qytetarët e vet, por të cilët monitorohen dhe dërgohen për izolim për 14 ditë.

Nga 16 marsi janë pezulluar përkohësisht të gjitha fluturimet nga aeroporti i Prishtinës.

Po ashtu është marrë vendim për mbyllje të kafiterive, restoranteve, qendrave tregtare, përveç barnatoreve dhe dyaneve të artikujve ushqimorë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar është është në finalizim e sipër hartimi i dekretit që parasheh shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme për 30 ditë për shkak të koronavirusit.

Në rast se Kuvendi i Kosovës miraton gjendjen e jashtëzakonshme me dy të tretat e votave të deputetëve të pranshëm në seancë, funksionet ekzekutive që ndërlidhen me gjendjen e jashtëzakonshme hyn nën kompetencat e Këshillit për Siguri, të cilin e udhëheq presidenti i Kosovës.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është shprehur kundër shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, duke e konsideruar këtë si masë ekstreme.

Ai e ka shkarkuar të mërkurën ministrin e Punëve të Brendshme dhe të Administratës Publike, Agim Veliun nga Lidhja Demokratike e Kosovës, i cili e ka kundërshtuar qëndrimin e Kurtit për vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Koalicioni qeverisës drejt krizës

XS
SM
MD
LG