Ndërlidhjet

Pompeo shkon në Afganistan në përpjekje për të shpëtuar marrëveshjen e paqes


Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo me presidentin afgan, Ashraf Ghani.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, mbërriti të hënën në Kabul të Afganistanit, në një vizitë të paparalajmëruar më parë, për të ndihmuar në shpëtimin e një marrëveshjeje historike midis Uashingtonit dhe talibanëve.

Pompeo u takua me presidentin afgan, Ashraf Ghani dhe rivalin politik të tij, Abdullah Abdullah, i cili kundërshton rezultatin e votimeve presidenciale të shtatorit, duke rritur mundësinë efunksionimit të dy qeverive paralele.

Presidenti Ashraf Ghani, i shpallur zyrtarisht fitues në zgjedhjet presidenciale, është betuar për mandatin e dytë si president më 9 mars. Abdullah Abdullah, zyrtar i lartë shtetëror, po ashtu ka organizuar ceremoninë e tij inauguruese në të njëjtën kohë.

Kjo situatë ka bllokuar zgjedhjen e ekipeve negociuese për bisedimet brenda afgane.

Vizita e Pompeos po realizohet më shumë për të parë nga afër situatën dhe mundësinë e zgjidhjes së saj.

Ku qëndrojnë vështirësitë e bisedimeve të brendshme afgane?

Marrëveshja mes talibanëve dhe SHBA-së, obligonte talibanët të nisin negociata të drejtëpërdrejta me qeverinë afgane dhe akterët tjerë brenda Afganistanit në mënyrë që të arrihet armëpushimi i përhershëm dhe të ketë një ujdi për ndarjen e pushtetit.

Talibanët nuk kishin pranuar deri më tash negociata me qeverinë afgane pasi deklaronin se ata janë kukulla të perëndimit.

Por, një përplasje për lirimin e të burgosurve dhe rivaliteti i politikanëve, kanë penguar përparimin në ndërmjetësimin e bisedimeve midis talibanëve dhe qeverisë afgane, e cila nuk ishte palë në marrëveshjen SHBA-talibanët, e nënshkruar në Doha të Katarit.

Përfaqësuesi i posaçëm i Shteteve të Bashkuara, Zalmay Khalilzad, i cili që nga nënshkrimi i marrëveshjes, pjesën më të madhe të kohës e ka kaluar në Kabul, bëri një lutje për të dyja palët që të lëvizin shpejt në lirimin e të burgosurve, një kusht që talibanët e kanë vendosur në bisedime.

Marrëveshja e nënshkruar më 29 shkurt synonte të hapte rrugën për talibanët që të negociojnë me qeverinë afgane, duke përfshirë një pakt për tërheqjen e trupave të huaj.

Në këtë mënyrë do të përfundonte lufta më e gjatë e Shteteve të Bashkuara.

Vizita e Pompeos vjen në një kohë kur shumë udhëtime në botëjanë anuluar nga pandemia e koronavirusit, e cila ka infektuar më shumë se 300,000 dhe ka vrarë më shumë se 14,000 persona në gjithë botën.

Çfarë marrëveshje kanë arritur SHBA-ja dhe Afganistani?

Shtetet e Bashkuara dhe talibanët kanë nënshkruar marrëveshje historike, që ka për qëllim dhënien fund të konfliktit në Afganistan.

SHBA-ja është pajtuar që të tërheqë trupat nga Afganistani brenda 14-muajsh, nëse militantët talibanë i përmbahen marrëveshjes.

Ky pakt është arritur pas nëntë raundeve të bisedimeve në mes të Shteteve të Bashkuara dhe talibanëve në Katar.

Expose: E ardhme e paqartë për Afganistanin

Aktualisht, në Afganistan janë 13 mijë trupa amerikane.

Talibanët po ashtu janë zotuar se do të zhvillojnë bisedime direkte me qeverinë në Kabul.

Forcat e koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja pushtuan Afganistanin në vitin 2001 dhe larguan nga pushteti talibanët, pasi grupi militant refuzoi që ta dorëzonte terroristin e Al-Kaidës, Osama bin Laden.

Që atëherë, rreth 2,400 ushtarë amerikanë janë vrarë gjatë luftimeve së bashku me dhjetëra mijëra ushtarë afganë, luftëtarë ekstremistë dhe civilë.

Më 28 shkurt, presidenti i Shteteve të Bashkuara tha se marrëveshja me talibanët është rruga e vetme për paqe të qëndrueshme në Afganistan.

"Nëse talibanët dhe Qeveria e Afganistanit u përmbahen zotimeve të tyre, ata do të kenë në rrugë të fuqishme drejt dhënies fund të luftës në Afganistanit dhe kthimit në shtëpi të trupave tanë”, tha Trump.

Në shtator të vitit 2019, Trump papritur kishte anuluar ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes me talibanët që ishte paraparë të mbahej në Kampin David, në Meriland, pas një serie sulmesh të kryera nga talibanët.
Megjithatë, bisedimet rinisën në Katar, të cilat u udhëhoqën nga i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Zalmay Kahlizad.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG