Ndërlidhjet

Sulm fizik ndaj një ekipi gazetarësh në veri


Ilustrim.

Një ekip i mediumit kosovar, Gazeta Blic, është sulmuar të hënën në Mitrovicën e Veriut, derisa po realizonte një rrëfim për situatën e krijuar atje pas përhapjes së koronavirusit të ri, ka konfirmuar Policia e Kosovës.

Zëvendësdrejori rajonal i Policisë së Kosovës, Besim Hoti, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se pak pas orës 13:00 ka marrë thirrje telefonike përmes të cilës policia është njoftuar për sulmin fizik ndaj ekipit të Gazetës Blic, në kryqëzimin e rrugëve, Ivo Lola Ribar dhe Princi Milosh, në Mitrovicë të Veriut.

“Njësitet policore kanë reaguar në vend të ngjarjes. Nga gazetarët kemi kuptuar se derisa ishin duke e bërë një xhirim për një rrëfim lidhur me koronavirusin, atyre u është afruar së paku një i dyshuar, i cili u ka kërkuar të mos xhirojnë dhe i ka sulmuar fizikisht”, tha Hoti.

Sipas tij, hetuesit e Policisë së Kosovës kanë ndërmarrë të gjitha masat në vendin e ngjarjes, në kërkim të të gjitha provave të mundshme, pëfshirë edhe kamerat e sigurisë dhe dëshmitarët e rastit, për të identifikuar kryesin e veprës.

Hoti tha se prokurori kujdestar është njoftuar me rastin.

Ndaj sulmit të ekipit të gazetarëve të Gazetës Blic ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, i cili ka thënë se në këtë ekip kanë qenë gazetarët Nebih Maxhuni, Diamant Bajra dhe kameramani Arsim Rexhepi.

Sipas AGK-së, gazetari Maxhuni është duke u trajtuar në spitalin e qytetit të Mitrovicës.

“Sulmi i tillë ndaj gazetarëve është akt i shëmtuar dhe skandaloz i cili nuk përkon me një shoqëri të lirë dhe demokratike”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Sulmin ndaj gazetarëve të Gazetës Blic, e ka dënuar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Dënoj sulmin ndaj gazetarëve, Nebih Maxhuni, Diamant Bajra dhe Arsim Rexhepi në Mitrovicë të Veriut. I bëj thirrje të gjithëve të qëndrojnë të qetë dhe të përmbahen nga aktet e dhunës. Gazetarët duhet të jenë në gjendje ta bëjnë punën e tyre pa frikë dhe presion. Të gjithë jemi së bashku në luftën kundër COVID-19”, ka shkruar në Twitter presidenti Thaçi.

XS
SM
MD
LG