Ndërlidhjet

Ministrja Hajdari siguron se do të ketë furnizime të rregullta me drithë dhe miell


Prishtinë

Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike në Kosovë i ka siguruar qytetarët se i ka marrë të gjithë hapat e nevojshëm për furnizimin e rregullt të tregut me drithë dhe miell.

Njoftimi për media vjen në kohën kur Kosova, si edhe vendet e tjera të botës, po përballet me përhapjen e një koronavirusi që shakton sëmundjen COVID-19.

Aktualisht, 61 persona në Kosovë janë të infektuar dhe një ka humbur jetën.

Si masë për frenimin e sëmundjes, autoritetet në Kosovë kanë mbyllur kufijtë, shkollat, restorantet, parqet.

Dyqanet ushqimore dhe barnatoret mbeten të hapura.

Ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike në Kosovë, Rozeta Hajdari, i porositi qytetarët se blerjet masive, të nxitura nga paniku, janë të panevojshme.

Ajo tha se institucionet e Kosovës kanë mjete financiare dhe burime të duhura për të siguruar furnizimin me mallrat esenciale.

Në njoftimin për media thuhet se ministria që udhëheq Hajdari po bashkëpunon me akterët përkatës në tregun vendor dhe rajonal, si dhe me mekanizmat shtetërorë, për të siguruar bukën për qytetarët gjatë periudhës së pandemisë.

Ditëve të fundit, në Kosovë janë vërjetur blerje të shtuara nga qytetarët, sidomos të produkteve ushqimore.

XS
SM
MD
LG