Ndërlidhjet

Mustafa deklarohet pak para mocionit të mosbesimit


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka nxitur veprimin e kësaj partie për mocion mosbesimi, me, siç është shprehur ai, sjelljet dhe veprimet e tij arbitrare dhe shkeljen e marrëveshjes qeverisëse.

“LDK nuk ka dy zgjidhje, Thaçin apo Kurtin, siç po shprehen disa. Por e kanë një zgjidhje. E kanë vetëm LDK-në dhe Kosovën”, është cituar të ketë thënë Mustafa.

Përveç tjerash, kreu i LDK-së ka folur me tone të ashpra dhe ndaj atyre që nuk janë në linjë të njëjtë me vendimet e partisë.

“Nuk është e natyrshne që dikush të jetë me LDK-në dhe kundër vendimeve të LDK-së. Kjo sjellje duhet të merr fund”, është shprehur Mustafa.

Deklaratat e tij vijnë pasi kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë të martën se deputetët duhet të vendosin për mocionin ndaj qeverisë. Ajo ka bërë thirrje deputetëve që të mos e përkrahin mocionin në këto rrethana, kur COVID-19 po paraqet kërcënim për jetën e qytetarëve.

"Absolutisht nuk e përkrahi këtë mocion dhe natyrisht i bëj thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që mos ta përkrahin këtë mocion sepse as nuk është në kohën e duhur, por mbi të gjitha nuk do t’i prodhojë Kosovës një qeveri tjetër që ka legjitimitet ose që mund të merret me sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova", është shprehur Osmani.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka nisur procedurat për mocion mosbesimi pasi vendimit të Kurtit për shkarkim të Agim Veliut nga pozita e ministrit të Brendshëm.

Më herët gjatë ditës së martë, ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett ka thënë se “është i kënaqur” që Kuvendi i Kosovës do të mbajë të mërkurën senacë për votimin e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë.

“Siç i kam thënë kryeministrit sot, është e rëndësishme që Kuvendi dhe të gjitha institucionet e Kosovës të respektojnë Kushtetutën”, ka thënë Kosnett.

Ndërkohë, Ministritë e Jashtme të Gjermanisë dhe Francës kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët përmes së cilës kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me situatën politike në Kosovë, në kohën kur, siç thuhet “është i nevojshëm uniteti politik për t’u përballur me krizën e COVID-19”.

“Kosovës i duhet një qeveri stabile dhe funksionale që të përballet me këtë krizë. Prandaj, ne ju bëjmë thirrje që votimi për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë të rishqyrtohet ose të shtyhet”.

Zhvillimet e fundit politike ndodhin në kohën e përhapjes së koronavirusit të ri.

Deri më tani 63 janë infektuar në Kosovë me këtë sëmundje, derisa një tjetër pacient ka vdekur.

Shumë qytetarë në Kosovë kanë protestuar nëpër ballkonet e tyre ditë më parë, për të shprehur pakënaqësitë që kanë ndaj zyrtarëve politikë dhe veprimeve të tyre së fundmi.

XS
SM
MD
LG