Ndërlidhjet

Gashi: Kryeministri me veprimet e tij vendosi për fundin e koalicionit


Arben Gashi, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën për të shqyrtuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës, që është iniciuar nga partia në koalicionin qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Arben Gashi nga Grupi Parlamentar i LDK-së në arsyetimin e tij për mocionin e mosbesimit tha se kryeministri Kurti me veprimet e bëra vendosi siç ishte edhe shkarkimi i ministrit të Punëve të Brendëshme Agim Veliu, t’i jep fund koalicionit qeverisës

“Qeveria e Kosovës erdhi në pushtet me besimin për ndryshim, për një momentum të ri në aspekte të zhvillimit ekonomik të vendit, sundimit të ligjit luftës kundër korrupsionit dhe konsolidim të subjektivit ndërkombëtar të Kosovës ndërsa kryeminstri Kurti për më pak se 50 ditë pune përmes mos veprimit dhe pozicionimit jokonstruktiv në raport me partnerët në përgjithësi dhe ne veçanti më SHBA ka pamundësuar funksionimin e qeverisë”.

Gashi ju ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që përmes votës së mosbesimit ta votojnë këtë mocion.

Kriza qeveritare, për shkak të mospajtimeve ndërmjet dy partive të koalicionit, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike erdhi në kohën kur e gjithë bota, përfshirë edhe Kosova, po ballafaqohet me luftën kundër koronavirusit të ri.

Mospajtimet të mëdha mes LDK-së dhe Vetëvendosjes dolën në shesh në lidhje me shfuqizimin e tarifës 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, masë kjo që ishte vendosur nga qeveria e kaluar e Kosovës, e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

Pas thirrjeve nga SHBA-ja dhe BE-ja që tarifa të shfuqizohet, kryeministri Kurti mori vendim që ta heqë pjesërisht atë, duke nisur me lirimin nga tarifa të lëndës së parë që importohet nga Serbia. Por, kjo masë ishte e pamjaftueshme për LDK-në e cila kërkoi që tarifa të hiqet plotësisht.

Finalja e kësaj krize nisi me një deklaratë të ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu pasi ai doli në favor të dekretit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, masë kjo që u kundërshtua nga kryeministri Kurti.

Më shumë informacione nga zhvillimet në Kuvend: Nis seanca për votimin e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë

XS
SM
MD
LG