Ndërlidhjet

Kërkohet ndihma e bashkësive fetare që t’i bindin qytetarët të qëndrojnë në shtëpi


Prishtinë, 22 mars, 2020.
Prishtinë, 22 mars, 2020.

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, ka kërkuar nga Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Dodë Gjergji dhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, që të shtrijnë ndikimin e tyre për të bindur besimtarët dhe të gjithë qytetarët në përgjithësi, që daljet nga shtëpitë e tyre t’i bëjnë vetëm atëherë kur është e domosdoshme.

Sveçla ka vizituar Ipeshkvinë e Kosovës ku nga Ipeshkvi, Dodë Gjergji ka marrë zotimin se do të shtojë angazhimin e tij, së pari te komuniteti katolik, por dhe te të gjithë qytetarët që të ndjekin me kujdes udhëzimet e institucioneve për të qëndruar në shtëpi.

Ndërkaq pas takimit me kreut e Bashkësisë Islame, Naim Tërnava, Sveçla tha përmes një postimi në rrjetin social Facebook se ”në këtë kohë të pandemisë globale, është i domosdoshëm respektimi i vendimeve të qeverisë nga ana e qytetarëve. Në kuadër të këtyre përpjekjeve kërkova që të intensifikohen thirrjet edhe nga Bashkësia Islame e Kosovës”.

Më herët, bashkësitë fetare në Kosovë kanë njoftuar se do të zhvillojnë ritet fetare, pa praninë e besimtarëve.

Qeveria e Kosovës ka marrë një sërë masash për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Njëra ndër to është edhe ndalimi i qarkullimit të qytetarëve dhe veturave private nga ora 17:00 deri në orën 6:00.

Deri më tani, në Kosovë janë shënuar 91 raste me koronavirus, ku një pacient ka vdekur.

XS
SM
MD
LG