Ndërlidhjet

Kurti i përgjigjet ftesës së Thaçit për takim


Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, përmes një letre publike dërguar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se do t’i përgjigjet ftesës së tij për konsultime në lidhje me krijimin e qeverisë së re.

Megjithatë, Kurti, në këtë letër, ka thënë se do të bisedojë me presidentin vetëm për kohën më të përshtatshme të shpërndarjes së kuvendit.

“Me shumë kënaqësi do të takohem me ju për të folur për hapat e mëtejmë sipas Kushtetutës, pas mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë. Po ashtu, konsideroj se zotimi juaj se do t’i ndërmerrni këta hapa është shenjë pozitive për Kosovën. Shpresoj shumë se gjatë ditëve në vijim do t’i qëndroni besnik këtij zotimi. Si kurrë më parë, Kosova ka nevojë për një president që respekton Kushtetutën deri në çdo pikë e presje të saj”, thuhet në letrën e Kurtit drejtuar presidentit Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka dërguar ftesë kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të takohen më 1 prill për t’u konsultuar lidhur me hapat që do të ndërmerren pas votimit të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë.

Thaçi ka paralajmëruar se do të takohet me liderët politikë për të gjetur zgjidhje pas rrëzimit të qeverisë. Presidenti ka shprehur besimin e tij se Kosovës i duhet një qeveri gjithëpërfshirëse.

Por, Kurti e ka kundërshtuar idenë që të krijohet qeveria pa u mbajtur zgjedhjet.

Ai është shprehur në favor të mbajtjes së zgjedhjeve të reja pas përfundimit të pandemisë së koronavirusit.

Më 25 mars, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar pro mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, që është iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës - parti në koalicionin qeverisës.

Lexoni edhe këtë:

XS
SM
MD
LG